Poezi nga: Wislawa Szymborska Nga polonishtja: Mazllum Saneja

Dashuria e lumtur. A thua kjo është normale,
a thua është serioze, a thua e dobishme -
çfarë ka bota me dy njerëz,
të cilët nuk e shohin botën?


Të lavdëruar me vetveten pa asnjë meritë,
të parët më të mirët prej miliona vetash, po të bindur,
se ashtu është dashur të ndodhë - me çfarë shpërblimi?
për asgjë;

drita ndriçon askund -
përse pikërisht për ta, e jo për të tjerët?
A thua kjo fyen drejtësinë? Po.
A thua shkel me kujdes parimet e grumbulluara,
shkatërron moralin gjer në buzë të humnerës?
Shkel e shkatërron.

Shikoni ata të lumtur
sikur së paku të maskoheshin
e shtirën si të pocaqisur duke nxitur miqtë!
Dëgjoni si qeshin - me ofendim.
Me çfarë gjuhe flasin - të kuptueshme sa për sy e faqe.
Ndërsa ceremonitë e tyre, me naze shumë,
obligime të trilluara ndaj vetvetes - kjo ngjan me komplotin
prapa shpinës së njerëzimit!

Vështirë është madje të parashikosh, se gjer ku mund të vijë,
sikur shembulli i tyre të imitohej.
Në çfarë mund të llogariteshin religjionet, poezitë,
për çfarë do të mbahej mend, çfarë do të gjykohej,
kush do të dëshironte të mbetej në rreth.

Dashuria e lumtur. A thua është e domosdoshme?
Takti dhe mençuria të urdhërojnë të heshtësh për të
sikur për skandalin e sferave të larta të Jetës.
Vogëlushe të mrekullueshme lindin pa ndihmën e saj.
Ajo kurrën e kurrës nuk do të mund të popullojë
rruzullin e tokës,
sepse ndodh shumë rrallë.

Njerëzit, që nuk e njohin dashurinë e lumtur,
le të thonë se askund nuk ka dashuri të lumtur.

Me këtë besim më lehtë e kanë të jetojnë e të vdesin.

Lexo po ashtu:
- NJË DASHURI E LUMTUR nga Wislawa Szymborska, përkthyer nga Maksim Rakipaj