LAJMI I FUNDIT:

Daka pas shkarkimit: Vendim i paligjshëm, Osmani më kërkoi të jap dorëheqje në këmbim të falënderimeve publike

Daka pas shkarkimit: Vendim i paligjshëm, Osmani më kërkoi të jap dorëheqje në këmbim të falënderimeve publike

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka në një konferencë për media pas shkarkimit të saj nga presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se presidentja ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë për shkarkimin e saj.

Daka e ka quajtur këtë vendim, vendim jo kushtetues.

“Ky është vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim jo që është i paligjshëm por edhe kontradiktor dhe qesharak. Ky është vendim i porositur”, ka thënë Daka.


Daka ka shtuar se ky vendim ishte i përgatitur më herët, marrë parasysh se menjëherë u emërua kryetari i ri i KQZ-së.

“Ky vendim i bërë publik pasditen e së hënës shihet qartë se ishte përgatitur më herët, këtë e dëshmon edhe fakti i emërimit të kryetarit të ri të KQZ brenda pak minutave. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë takim ku ajo më kërkoi të jap dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoj falënderime publike për punën e deritashme dhe  më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhshmen. I kam thënë se e kam përmbushur detyrën time sipas Kushtetutës”, ka thënë Daka.

Ish-kryesuesja e KQZ-së ka thënë se kërcënimet publike të presidentes Vjosa Osmani kanë nisur nga janari i vitit 2021.

“Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës. Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së. Ndonëse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin, ajo po i kërkonte KQZ-së të mos respektonte Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Daka.

Fjalimi i plotë i saj në konferencë për media:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ju përfaqësues të mediave;

Tashmë të gjithë e dini se dje me vendimin e saj, Presidentja e Kosovës, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim.

Dua t’iu bëj të ditur qysh në fillim se ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj.

Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetëveten, por edhe qesharak.

Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur.

Ky vendim i Presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së.

Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Natyrisht se kjo ishte një gjuhë dhe sjellje e papranueshme për mua nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës. Asaj i kam thënë se kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Të dashur qytetarë dhe ju përfaqësues të mediave,

Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës. Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së. Ndonëse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin, ajo po i kërkonte KQZ-së të mos respektonte Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky presion i porositur ka vazhduar më vonë edhe nga përfaqësuesit e një subjekti të caktuar politik, të cilët kanë pamundësuar zhvillimin normal të mbledhjeve, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke bërë akuza të pabaza, e shpeshherë duke kaluar fyerje dhe ofendime, por që Presidentja nuk mori asnjëherë mundimin për të reaguar.

Për këtë, të gjithë jemi dëshmitarë meqenëse mbledhjet janë transmetuar në media të shumta. Shumë prej këtyre akuzave të tyre të pabaza mund t’i gjeni edhe në tekstin e vendimit të Presidentes për shkarkimin tim.

Në këtë vendim, Presidentja e Republikës ka renditur disa arsye për shkarkimin tim. Këto janë arsye të paqëndrueshme dhe nuk mbështen në realitet, i cili është krejtësisht i ndryshëm. Argumentet e dhëna nga Presidentja e Kosovës janë lehtësisht të rrëzueshme dhe nuk duhet mundim i madh për ta bërë këtë.  

Së pari, Presidentja e Kosovës në vendimin e saj ka përmendur presionin tim ndaj stafit të KQZ-së në mbledhjen e mbajtur me 22 janar 2021, kur në rend dite ishte certifikimi i kandidatëve për deputetë.

Në këtë mbledhje, të cilën e ka parë e gjithë Kosova, është parë dështimi i përmbushjes së detyrave dhe obligimeve të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, respektivisht drejtorit të saj, i cili përkundër përgjigjeve të marra në rrugë zyrtare nga institucionet përgjegjëse, në këtë rast nga KGjK, se një numër i kandidatëve nuk përmbushë kushtet ligjore për të qenë kandidat, kishte rekomanduar certifikimin e të gjithë kandidatëve me arsyetimin se verifikimi i bërë ishte jo i plotë dhe i pasaktë. Me qëllim të saktësimit të informatës së ofruar nga KGjK-ja, takimi i KQZ-së ishte ndërprerë për të marrë një konfirmim zyrtar.  KGjK-ja, brenda një ore i kishte kthyer përgjigje KQZ-së se të dhënat që i janë ofruar drejtorit të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike janë plotësisht të sakta dhe të konfirmuara. Rruga ligjore e ndjekur nga unë dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së është konfirmuar nga dy institucionet që kanë shqyrtuar ankesat e këtyre kandidatëve, nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme. 

Rrjedhën e mëtejme të kësaj mbledhjeje, tashmë e dini të gjithë dhe i dini poashtu edhe ngjarjet që kanë ndodhur pas saj.

Të akuzohem vetëm unë, i bie që të gjitha vendimet e marra në KQZ janë marrë vetëm nga Valdete Daka dhe jo nga KQZ-ja si një organ kolegjial, i përbërë nga 11 anëtarë.

Sot, ne mund ta pyesim Presidenten se sipas kësaj logjike, a do të duhej të shkarkoheshin të gjithë anëtarët e KQZ-së për mosdëgjueshmëri dhe për vendimet e marra?

Së dyti, Presidentja e Republikës ka përdorur çështjen e verifikimit të aplikuesve nga jashtë vendit si arsye për vendimin e saj. Në vendimin e Presidentes, vendimi i KQZ-së vlerësohet si mohim i të drejtës për të votuar.

Zonja Presidente, kjo është një e pavërtetë e madhe. KQZ-ja, me vendimin për verifikimin e aplikuesve nuk i ka mohuar askujt të drejtën për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe as për të votuar, sepse KQZ-ja i ka përfshirë në listën votuese edhe ata aplikues që nuk kishte arritur t’i kontaktonte përmes telefonit. Për më tepër, vendimi i KQZ-së nuk është marrë vetëm nga unë, por për të kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së.

Ky vendim ka qenë një masë shtesë për siguri të procesit zgjedhor dhe i mbështetur në vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ky institucion, në vitin 2017 gjatë shqyrtimit të një rasti që kishte të bënte me raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Istogut, kishte kontaktuar 60 aplikues, 56 prej të cilëve nuk ishin lajmëruar, por vetëm sekretaria e operatorit se numri është i paqasshëm, ndërsa në emër të dy aplikuesve ishin lajmëruar dy gjerman folës. Kjo tregonte qartë për cenimin e procesit të regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit. Edhe në rekomandimet e vëzhguesve të Bashkimit Evropian është kërkuar nga KQZ-ja të marrë masa shtesë për sigurimin e kredibilitetit të këtij procesi.    

Së treti, Presidentja thotë se qytetarët që vendosën të ankoheshin, patën vetëm një ditë kohë dhe se ky afat ishte kufizim i të drejtës së qytetarëve për ushtrimin e mjeteve juridike në një afat të arsyeshëm.

Edhe kjo arsye e shpërfaq mosnjohjen e thellë të procesit zgjedhor nga Presidentja. Zgjedhjet e 14 shkurtit kanë qenë të parakohshme dhe në dekretin e nënshkruar nga vetë ajo, KQZ-ja udhëzohet për organizim të zgjedhjeve në përputhje me legjislacionin. Sa për informim të Presidentes, ky legjislacion e lejon KQZ-në të përcaktojë afatet kohore për të gjitha fazat e procesit zgjedhor në përputhje me ditët që janë në dispozicion të KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve. Plani operacional, pra ku përfshihet edhe ky afat, është aprovuar nga të 11 anëtarët e KQZ-së dhe jo vetëm nga unë.  

Së katërti, Presidentja e Kosovës përmend vendimin e KQZ-së për lejimin e votimit të qytetarëve duke përdorur dokumente me afat të skaduar.

Edhe kjo arsye është e paqëndrueshme dhe e pavërtetë, sepse unë personalisht kam qenë kundër këtij vendimi. Tetë anëtarë tjerë të KQZ-së e kanë mbështetur propozimin e z. Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje për të lejuar votimin e qytetarëve me dokumente me afat të skaduar. Votimi është zhvilluar përmes e-mailit dhe ekzistojnë fakte që e dëshmojnë se unë kam qenë kundër këtij vendimi, por Presidentja nuk ka pyetur asnjëherë për të vërtetën e vendimit të KQZ-së.  

Së pesti, Presidentja kur flet për mbrojtjen e të dhënave personale, arrin në përfundime që i takojnë vetëm institucioneve të drejtësisë nëse është shkelur Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Presidentja, në asnjë rrethanë nuk mund ta luajë rolin e gjyqtares apo të ndonjë institucioni tjetër që merret me zbatimin e këtij ligji.  

Të dashur qytetarë,

Ju deklaroj me përgjegjësinë më të madhe morale dhe profesionale se gjatë ushtrimit të funksionit si Kryetare KQZ-së, unë kam qenë e përgjegjshme dhe se kam vepruar me integritet të lartë e në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Gjatë kësaj kohe, unë nuk i jam dorëzuar asnjëherë përballë presioneve, siç e kam dëshmuar edhe me rastin e fundit.

Gjatë detyrës sime si Kryetare e KQZ-së, jam angazhuar maksimalisht në avancimin e proceseve zgjedhore dhe së bashku ia kemi arritur. Sot, KQZ-ja është shembull për shumë shtete të Ballkanit për organizimin e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe sipas standardeve ndërkombëtare. 

Sot KQZ-ja është anëtare me të drejta të plota e Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Botërorë (A-Web). Po ashtu, KQZ-ja është anëtare me të drejta të plotë edhe e Asociacionit të Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë (ACEEEO) dhe e barabartë, ndoshta si në pak fusha, me trupat menaxhuese të zgjedhjeve të Rusisë dhe Serbisë.

Natyrisht se ky sukses nuk është personal, por sukses i një pune të përbashkët të dhjetëra anëtarëve dhe e stafit jashtëzakonisht profesional të KQZ-së. Ky është një moment i mirë për t’i falënderuar për punën e tyre dhe për t’i inkurajuar që të vazhdojnë të punojnë si gjithmonë me profesionalizëm e integritet.

Unë jam krenare që kemi punuar së bashku për kaq kohë dhe për sukseset e përbashkëta. 

Gjatë 11 viteve të punës në KQZ, unë kam punuar me katër Presidentë dhe me shumë Kryeministra, si dhe me ndihmën e institucioneve kam organizuar me dhjetëra procese zgjedhore, por asnjëherë nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe dyshime në integritetin tim profesional dhe personal. Përkundrazi, për punën time jam vlerësuar gjithmonë publikisht nga shumë institucione ndërkombëtare si dhe jam vlerësuar nga të gjitha misionet vëzhguese të zgjedhjeve.

Po ashtu, dua të shpreh falënderim për të gjithë mediat, gazetarët, shoqërinë civile, analistët, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike, për mbështetjen korrekte dhe profesionale gjatë përballjes me këtë situatë të paprecedentë. 

Në fund të kësaj paraqitje, dua t’iu them se karriera ime profesionale është e lidhur ngushtë me betejat për drejtësi dhe kjo do të jetë vetëm një betejë e radhës. Unë jam përballur me sfida të ndryshme, por më besoni se kjo nuk është më e vështira.

Unë do të shoh të gjitha mundësitë për të kërkuar të drejtën time përmes rrugëve ligjore, e cila është shkelur me një vendim politik dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vritet 28-vjeçari në Tiranë, djali i ish-gjyqtarit për krime të rënda

Vritet 28-vjeçari në Tiranë, djali i ish-gjyqtarit për krime të rënda

Lajme
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej

Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej

Lajme
Zogaj: Do të bëjmë pesë miliardë euro investime për një mandat, 30% të buxhetit të shtetit do ta çojmë në paga

Zogaj: Do të bëjmë pesë miliardë euro investime për një mandat, 30% të buxhetit të shtetit do ta çojmë në paga

Politikë
Detaje nga vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, gjendet një makinë e djegur në Farkë

Detaje nga vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, gjendet një makinë e djegur në Farkë

Lajme
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj

Politikë
Ahmeti, Kurtit: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare

Ahmeti, Kurtit: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare

Politikë
Kalo në kategori