Cristiano Ronaldo ka dalë fitues në çështjen ligjore kundër Juventusit lidhur me pagat e papaguara, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje që zgjati për disa vite mes palëve.

Siç raporton La Gazzetta dello Sport, gjyqtari i punës në Torino, Gian Luca Robaldo, ka rrëzuar apelimin e paraqitur nga Juventusi, duke konfirmuar se klubi bardhezi nuk ka të drejtë të rikuperojë shumën prej 9.8 milionë eurosh të paguara tashmë ndaj yllit portugez.


Çështja lidhet me pagat e prapambetura të Ronaldos gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Pas largimit nga Juventusi në vitin 2021 për t’u rikthyer te Manchester United, sulmuesi portugez pretendoi se klubi i detyrohej gjithsej 19.6 milionë euro.

Në vitin 2023, Ronaldo e çoi çështjen në arbitrazh.

Në prill të vitit 2024, paneli i arbitrazhit vendosi që Juventusi duhej t’i paguante Ronaldos gjysmën e shumës së kërkuar, pra 9.8 milionë euro, duke argumentuar se marrëveshja private mes klubit dhe lojtarit, e cila ishte gjithashtu nën hetim nga autoritetet italiane, nuk përmbante firmën e vetë Ronaldos.

Juventusi e apeloi këtë vendim, por me vendimin e fundit të gjykatës së punës, u konfirmua se klubi nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kthimin e shumës së paguar.

Përveç kësaj, bardhezinjtë do të duhet të mbulojnë edhe shpenzimet ligjore të procesit.

Sipas burimeve, vendimi nuk do të ketë ndikim në bilancin financiar të Juventusit, pasi shuma ishte paguar dhe ishte reflektuar tashmë në pasqyrat financiare të sezonit 2023/24.

Megjithatë, Juventusi pritet të analizojë me kujdes vendimin për të vlerësuar nëse ekzistojnë baza për një sfidë të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/

telegrafi sport app