Çka është ADHD? Psikologu Visar Sadiku tregon simptomat që paraqiten te fëmijët

Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, psikologu klinik Visar Sadiku ka folur për pavëmendshmërinë dhe hiperaktivitetin (ADHD) tek fëmijët, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të saktë dhe ndërhyrjes profesionale.
Sipas Sadikut, ADHD është ndër çrregullimet më të keqdiagnostikuara në botë, duke bërë që shpeshherë fëmijët me sjellje normale për moshën e tyre të ngatërrohen me këtë diagnozë.
“Të gjithë fëmijët janë kureshtarë dhe aktivë, por kjo nuk do të thotë që kanë ADHD”, tha ai.
Ai theksoi se ekzistojnë tri forma kryesore të ADHD-së që manifestohen te fëmijët: “Forma e pavëmendshmërisë: kjo formë karakterizohet nga vështirësia për t’u përqendruar, ndonëse fëmija mund të jetë i qetë dhe jo hiperaktiv.
“Në klasë apo në kopsht, fëmija është fizikisht i pranishëm, por mendërisht në një ‘botë tjetër’, pa vëmendje në atë se çka po ndodh rreth tij”, shpjegoi Sadiku.
Ndërsa, forma e dytë siç tha Sadiku është hiperaktiviteti dhe impulsiviteti.
“Këta fëmijë janë në lëvizje të vazhdueshme dhe kanë reagime të shpejta e të pakontrolluara. Ndonjëherë mund të jenë të përqendruar, por vërehet se janë në lëvizje të pandërprerë, një lloj gjallërie që nuk është e zakonshme. Sjellja e tyre nuk është gjithmonë me qëllim, është e pavetëdijshme dhe e papërmbajtur”, theksoi ai.
Ndërkaq, forma e tretë sipas tij është forma e kombinuar e cila përfshin si pavëmendshmërinë, ashtu edhe hiperaktivitetin dhe impulsivitetin.
“Është forma më komplekse dhe shpesh më sfiduese për fëmijën dhe rrethin familjar apo shkollor”, tha Sadiku.
Ai gjithashtu bëri dallimin mes një fëmije me hiperaktivitet të zakonshëm dhe një fëmije me ADHD.
“Një fëmijë i ‘gjallë’ mund të jetë në lëvizje, por lëvizjet e tij janë të qëllimshme. Ndërsa tek fëmijët me ADHD, lëvizjet janë të pavetëdijshme, të shpeshta dhe të papërshtatshme për situatën, si p.sh. lëvizja e duarve apo këmbëve edhe kur janë ulur në klasë”, sqaroi ai.
Sadiku përfundoi duke theksuar se zemra e problemit me ADHD është mungesa e vetë-rregullimit.
“Prandaj, përmes seancave psikologjike punohet për të stimuluar këtë aftësi, dhe këto ndërhyrje kanë treguar rezultate pozitive në shumicën e rasteve”, tha ndër të tjera Sadiku.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë në Youtube:




















































