Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se e vetmja arsye për thirrjen e një seance të re plenare është votimi ose mosvotimi i Qeverisë së re.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Çitaku tha se çdo gjë tjetër do të ishte shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës.


“Në emër të PDK-së, e kam bërë të qartë se pika e vetme e rendit të ditës që mund të trajtohet është thirrja e seancës për të votuar ose jo Qeverinë e re. Çdo gjë tjetër do të ishte shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës. Në atë seancë, liderët politikë do të konfirmojnë nëse ekziston apo jo shumica parlamentare”.

Ajo ka bërë të ditur se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të marrë pjesë në takimin e liderëve politikë, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur.

“Është e qartë se nuk ka shumicë të re parlamentare. Prandaj, duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka shtuar ajo.

Çitaku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për tentime që të shtyjë institucionet drejt shkeljes së Kushtetutës.

“Nuk do të lejojmë shkeljen e Kushtetutës. Tash kemi situata absurde – i njëjti person është edhe ministër, edhe deputet. Ligji është i qartë: pa Qeveri të re, nuk mund të trajtohet asnjë temë tjetër. Po më befason ndjenja e papritur e urgjencës për t’i trajtuar këto çështje tani, kur me muaj të tërë Kosova është mbajtur peng", ka theksuar ajo.

Në fund, Çitaku ka theksuar se PDK ka qenë konstruktive gjatë gjithë kësaj periudhe, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit institucional.

“Pa u kërkuar nga askush, kemi ofruar rrugëdalje dhe kemi votuar kryetarin e Kuvendit. Por përtej vullnetit, duhet seriozitet dhe përgjegjësi. PDK nuk do të marrë asnjë hap që cenon Kushtetutën e Kosovës. Derisa të formohet Qeveria e re dhe komisionet parlamentare, Kuvendi nuk mund të trajtojë asnjë çështje tjetër”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/