Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se Prekazi është kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu duhet dashur pa kushte.

Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ajo u shpreh se edhe këtë 28 nëntor po mungojnë liderët e luftës.


“Ngado që të nisemi si komb, nga këtu fillojmë, nga Prekazi legjendar, nga Prekazi i sakrificës, nga Prekazi i heroizmit, nga Prekazi që është një kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu, liria duhet të duhen pa kushte. Atdheu, liria janë parakusht për krijimin e çdo vlere tjetër. Nuk jam këtu si politikane, para se gjithash jam si shqiptare me përulje dhe respekt për sakrificën e komandantit legjendar, Adem Jashari në këtë festë të shumëfishtë. Sigurisht që sot na mungojnë shumë liderët tanë të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniq e Rexhep Selimi. Qoftë ky nëntori i fundit që e shënojmë pa ta”, tha ajo, raporton kp.

Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pushojnë trupat e Jasharëve, të vrarë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. 28 nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.