Cilësia e jetës dhe niveli i kursimeve ka rënë - cili është perceptimi i konsumatorëve në rajon? Valicon publikon hulumtimin e radhës

Hulumtimi i Valicon “New Normal Study”, i kryer nga data 18 deri më 21 gusht 2025 në Kosovë, Slloveni, Kroaci, Bosnje, Serbi, Mal të Zi, dhe Maqedoni të Veriut, ka ofruar një pasqyrë mbi perceptimin e konsumatorëve në rajon, gjersa inflacioni dhe pasiguria politike janë paraqitur si shqetësimet kryesore.
Raporti i Valicon mbi sjelljen e konsumatorit (tremujori i tretë, 2025) zbulon gjendjen e tregjeve dhe të konsumatorëve në të gjithë rajonin e Adriatikut.
Për herë të parë, analiza përfshin të gjithë rajonin — me përfshirjen e Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut — duke treguar se si presioni financiar po formëson sjelljen dhe perceptimin e përgjithshëm të konsumatorëve.
Pikat kryesore që duhen marrë parasysh kur merrni vendime biznesi në rajon:
Inflacioni dhe pasiguria politike janë shqetësimet kryesore
Kur bëhet fjalë për shqetësimet e konsumatorëve, inflacioni mbetet shqetësimi kryesor në të gjithë rajonin.
Nivelet më të larta të shqetësimit janë regjistruar në Kosovë (70%), Maqedoni të Veriut (70%), Bosnje dhe Hercegovinë (69%) dhe Kroaci (68%), ku shqetësimi për rritjen e kostos së jetesës është rritur me 8% që nga tremujori i dytë i vitit 2025.
Përveç inflacionit, stabiliteti politik përbën një tjetër shqetësim madhor. Në Serbi, shqetësimi për zhvillimet politike (58%) është pothuajse i barabartë me atë për inflacionin (60%), me një rritje të theksuar prej 9% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Edhe në Kosovë (54%) dhe Bosnje dhe Hercegovinë (40%), shqetësimet politike janë të larta.
Në ndërkohë, shqetësimi për vlerën e pronës është përgjithësisht më i ulët, duke u luhatur nga 20% në Serbi deri në 34% në Maqedoninë e Veriut dhe 26% në Kosovë.
Sjellje e kujdesshme e konsumatorëve: mbizotërimi i promocioneve dhe dyqaneve më të lira
Shqetësimet e vazhdueshme financiare bërë që konsumatorët të kenë një mentalitet më të kujdesshëm, duke çuar në zakone të qëndrueshme për kursimin e shpenzimeve në të gjithë rajonin e Adriatikut.
Blerje me Vlerë: Blerjet gjatë promocioneve dhe në dyqane më të lira janë strategjitë më të zakonshme në rajon. Në Kroaci, 70% e konsumatorëve blejnë më shpesh gjatë promocioneve, ndërsa 65% preferojnë të blejnë në dyqane më të lira. Sllovenia është afër me këtë përqindje, me 65% që blejnë gjatë ofertave dhe 62% në dyqane më të lira. Edhe në Kosovë, 68% e konsumatorëve bëjnë blerje në dyqane më të lira.
Reduktimi në Shpenzime: Një përqindje e lartë e konsumatorëve po heqin dorë nga shpenzimet e panevojshme. Në Slloveni, 57% e qytetarëve po anulojnë abonimet, ndërsa gjysma po heqin dorë nga produkte apo shërbime të panevojshme. Abonimet po anulohen gjithashtu nga 56% e konsumatorëve në Kroaci dhe 58% në Bosnje dhe Hercegovinë. Kërkimi për çmime më të mira për shërbime është gjithashtu i shprehur, veçanërisht në Kosovë (56%) dhe Slloveni (47%).
Blerjet me Shumicë: Blerja e sasisë së madhe të produkteve për përdorim të përditshëm, si mënyrë për të kursyer para, është ndër strategjitë më pak të përdorura, përqindjet variojnë nga vetëm 19% në Serbi deri në 32% në Slloveni dhe Kosovë.
Rënia e nivelit të kursimeve
Aftësia për të kursyer para është ndikuar rëndë. Përqindja e atyre që arritën të kursejnë të njëjtën shumë si më parë është relativisht e ulët në të gjithë rajonin, duke arritur kulmin në 40% në Slloveni dhe duke rënë në vetëm 15% në Maqedoninë e Veriut. Vendet e tjera tregojnë këto përqindje: Kroaci (26%), Serbi (26%), Bosnje dhe Hercegovinë (23%), Kosovë (20%) dhe Mal të Zi (18%).
Cilësia e jetës ka rënë që nga viti 2020
Kur konsumatorët krahasojnë cilësinë e jetës së tyre të përditshme sot me atë para vitit 2020, shumica besojnë se jeta është përkeqësuar. Në pothuajse të gjitha tregjet, më shumë konsumatorë ndjejnë se cilësia e jetës së tyre është “më e keqe” sesa “më e mirë,” një reflektim i sfidave ekonomike dhe politike të grumbulluara që nga viti 2020. Ndjenja që jeta është “më e keqe” është më e fortë në Serbi (53%), Maqedoni të Veriut (52%) dhe Kroaci (51%).
Konsumatorët në Kosovë dhe Mal të Zi janë më optimistë, me 34% në të dyja vendet që raportojnë se jeta e tyre është “më e mirë” sot krahasuar me periudhën para vitit 2020, edhe pse një pjesë e konsiderueshme ende raportojnë një cilësi jete “më të keqe” (40% në Kosovë dhe 37% në Mal të Zi).
Ndryshe, studimi u realizua përmes një anketimi online duke përdorur panelin Opinia.Club, duke siguruar një përfaqësim të gjerë dhe të besueshëm të popullsisë.
Periudha e Anketimit: 18 deri më 21 gusht 2025.
Shtetet në të cilat është realizuar hulumtimi: Slloveni (n=512), Kroaci (n=511), Bosnje dhe Hercegovinë (n=516), Serbi (n=511), Maqedoni të Veriut (n=509), Kosovë (n=425) dhe Mal të Zi (n=317).
Popullsia e Targetuar: Grupmosha 18 deri në 75 vjeç.
Metoda e Mostrimit: Mostër përfaqësuese e popullsisë së përgjithshme në secilin vend. /Telegrafi/


















































