Që pas ndryshimit të pronësisë, Chelsea nuk është njohur për nënshkrime të bujshme me emra të mëdhenj. Blutë janë përqendruar kryesisht te lojtarët e rinj me potencial për t’u zhvilluar në yje, siç ndodhi me Cole Palmer. Por kjo verë mund të sjellë një përjashtim.

Sipas raportimeve nga Defensa Central, Chelsea është i interesuar për brazilianin Rodrygo, i cili mund të largohet nga Real Madridi këtë verë. Pozicioni i tij në skuadër është lëkundur pas ardhjes së Kylian Mbappe dhe pritet të ketë më pak hapësirë nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso.


Rodrygo ka qenë vendimtar në dy triumfet e fundit të Real Madridit në Ligën e Kampionëve, duke shënuar gola të rëndësishëm në momentet kyçe. Por, me ndryshimet e fundit në skuadër, duket se roli i tij është reduktuar dukshëm – madje në Kupën e Botës për Klube ai u aktivizua shumë pak.

Chelsea ka paraqitur një ofertë interesante: një shkëmbim mes Rodrygos dhe Nicolas Jackson e Joao Felix. Alonso është tashmë në dijeni të kësaj oferte, por Real Madridi thuhet se preferon një pagesë direkte, pasi klubi ka nevojë të forcojë mbrojtjen dhe mesfushën.

Rodrygo është një nga lojtarët më të kërkuar në këtë merkato. Përveç Chelseat, interes për të kanë shfaqur edhe klube si Liverpool, Arsenal dhe Manchester City. Një transferim i tillë nuk do të jetë i lehtë, sidomos sepse shumë klube janë të gatshme të paguajnë një shumë të majme për të.

Në anën tjetër, edhe Nicolas Jackson mund të largohet këtë verë. Me Joao Pedro dhe Liam Delap që kanë performuar më mirë se ai në Kupën e Botës për Klube, Chelsea mund të jetë i gatshëm të ndahet me sulmuesin senegalez, ndërsa Joao Felix nuk është fare në planet e Enzo Marescas.

E ardhmja e Rodrygos mbetet e hapur, por nëse ndonjë klub është i gatshëm të bëjë një hap serioz për të, kjo mund të jetë vera e ndryshimit për brazilianin. /Telegrafi/

telegrafi sport app