Chelsea mund të ketë probleme në janar pasi Azpilicueta dhe Alonso duan të largohen

Chelsea kanë qenë duke luftuar për të rizbuluar formën e tyre në disa ndeshjet e fundit dhe ata mund të jenë në një krizë edhe më të madhe, pasi Cesar Azpilicueta dhe Marcos Alonso thuhet se janë të gatshëm të largohen në janar.
Lëndimet e mesfushorëve startues si N'Golo Kante dhe Mateo Kovacic kanë shkaktuar mjaftë luhatje në skuadrën e Thomas Tuchel, i cili mund të përballet me probleme në mbrojtje në rast se dyshja e lartpërmendur spanjolle largohet nga Blutë në janar.
Siç raportohet në mediat britanike, si Azpilicueta ashtu edhe Alonso kanë kërkuar nga agjentët e tyre që të gjejnë skuadra të reja në afatin kalimjtar dimëror, pasi kanë humbur vendin në skuadrën e parë, pas formës brilante të Reece James dhe Ben Chilwell.
Pavarësisht se kontrata e kapitenit të Chelseat përfundon në verë, të dy palët nuk kanë arritur një marrëveshje për një rinovim të mundshëm, me Barcelonën që thuhet se është e interesuar për të marrë shërbimet e Azpilicuetas.
Pas formës së jashtëzakonshme të James, Azpilicueta nuk konsiderohet më si titullari i Chelseat në të djathtë, me Tuchel që preferon Trevoh Chalobah si qendërmbrojtësin e djathtë në treshen e tij të pasme.
Ai ka startuar në vetëm tre nga nëntë ndeshjet e fundit të Chelseat në Ligën Premier, kryesisht për të zëvendësuar lojtarët që ishin të lënduar ose që nuk kishin përgatitje të mjaftueshme fizike.
Sa i përket Alonsos, mbrojtësi i majtë 30-vjeçar ishte një titullar i padiskutueshëm në gjashtë ndeshjet e para të Chelseat në Ligën Premier këtë sezon, por më pas humbi vendin e tij nga një Ben Chilwell në super formë.
Megjithatë, anglezi pësoi një lëndim të rëndë kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve dhe Alonso aktualisht është zëvendësuesi i tij i vetëm në skuadër.
Alonso, kontrata e të cilit me Chelsean skadon në vitin 2023, po kërkon të marrë më shumë minuta për lojë diku tjetër në pjesën e dytë të sezonit në mënyrë që të konkurrojë për një vend në skuadrën e Luis Enrique për Kupën e Botës 2022. /Telegrafi/
























































