Çeku: Rinia, në qendër të programit tim për Prishtinën

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka theksuar se rinia është prioritet kryesor i platformës së tij qeverisëse.
Ai tha se gjatë një takimi me të rinjtë e kryeqytetit është ndjerë i frymëzuar nga energjia dhe idetë e tyre, duke shtuar se programi i tij përfshin masa konkrete që vendosin rininë në qendër të zhvillimit të qytetit.
“Energjia e tyre, idetë dhe gatishmëria për t’u angazhuar janë frymëzim i madh. Nga siguria publike në shkolla e lagje, tek hapësirat për art, kulturë e sport, zhvillimi i sektorit të TIK-ut, bursa dhe shërbime psikologjike në shkolla – gjithçka e kemi menduar me rininë në qendër,” tha Çeku.
Sipas tij, Prishtina duhet të jetë një qytet ku të rinjtë kanë hapësirë për të krijuar, për të udhëhequr dhe për të ndërtuar të ardhmen.












































