“Çarmatosni rrugët, armatosni shkollat me dije!”, qytetarët protestuan kundër vrasjeve të fundit në Kosovë

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve janë mbledhur sot rreth orës 14:00 në një protestë paqësore për të kundërshtuar ngjarjet e fundit që kanë tronditur vendin dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës.
Protestuesit me pankarta në duar marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt sheshit “Skënderbeu”, në Prishtinë.
“Vrasjet dhe përplasjet me armë janë pasqyrë e një dështimi institucional që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi. Kërkojmë ashpërsim të ligjit për armët dhe ndëshkim të ashpër për posedim të paligjshëm, formim të një Reparti Special për Parandalimin e Dhunës në Komunitet, investime urgjente në shëndetin mendor dhe kujdesin psiko-social, edukim qytetar kundër dhunës dhe armëmbajtjes që nga shkollat fillore, kontroll të rreptë të lejeve për armë dhe krijim të një regjistri publik të poseduesve. Koha për veprim është tani. Nuk duam më viktima”, kanë thënë organizatorët.
Ndryshe, kjo protestë është organizuar nga shoqata “Roja e Kohës”. /Telegrafi/




















































