Bursistit olimpik nuk i lejohet stërvitja në sallën e gjimnazit të Suharekës
Edhe pse është bursist i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë dhe një ndër themeluesit e Federatës se Shigjetarisë së Kosovës dhe anëtar i saj, Atdhe Luzhnicës nuk i lejohet të bën stërvitje në palestrën e gjimnazit, “Jeta e Re” në Suharekë, e cila është e vetmja që sipas tij i plotëson kushtet për stërvitje gjatë stinës së dimrit. Kjo pasi drejtori i gjimnazit, Fadil Elshani nuk e ka lejuar që të stërvisë përkundër që kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj e ka lëshuar një vendim në vitin 2018 ku i lejohet të gjitha klubeve sportive rinore që merren me aktivitet sportive të grup moshave për fëmijë t’i shfrytëzojnë palestrat sportive nëpër të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës. “Në atë palestër kamë bërë stërvitje tre-katër vite me radhë. Në momentin që ka ndryshuar pushteti lokal ka ndryshuar edhe drejtori i cili ma ka ndalua edhe hapësirën e jashtme të shkollës por edhe palestrën për t’u stërvitur. Ai ma ka dhënë një arsyetim që “askund me ligj nuk specifikohet që unë mund ta shfrytëzojë atë hapësirë. Në fakt me ligj as e kundërta nuk thuhet dhe mendoj që ai objekt është aset i Komunës dhe duhet ta kemi mundësin edhe klubet ta shfrytëzojmë e sidomos unë që jam bursist për normë olimpike e që kjo është koha e fundit që unë mund ta pretendojë”, deklaroi Atdhe Luzhnica për RTV Dukagjinin.





























