Studimi i hulumtuar mirë, por i zymtë i Charles Dickut mbi Organizatën Todt [Organisation Todt], krahun inxhinierik të nazistëve, na kujton se sa shumë kriminelë kanë shpëtuar pa u ndëshkuar.

Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Titulli dhe nëntitulli i librit të hulumtuar dhe studimor nga Charles Dick, Armiku i panjohur: Forca e fshehur naziste që ndërtoi Rajhun e Tretë [Unknown Enemy: The Hidden Nazi Force that Built the Third Reich], nuk i bëjnë ndonjë nder as atij dhe as librit. Po, Dicku e ka studiuar në thellësi makinerinë naziste - Organizatën Todt (OT), e quajtur sipas themeluesit të saj, Fritz Todt - të cilën Hitleri e ngarkoi me mbikëqyrjen e infrastrukturës së Gjermanisë së re.

Por, OT-ja nuk ishte armik i panjohur, dhe sigurisht nuk është i tillë pas gjithë këtij studimi që është bërë për të. Vetë Dicku botoi një libër për të tri vjet më parë, edhe pse për një treg akademik, ndërsa ky duket të jetë, në thelb, një version më “popullor” pasi kanë kaluar 15 vjet qëkur u botua Inxhinierët e Hitlerit: Fritz Todt dhe Albert Speer - mjeshtrit ndërtues të Rajhut të Tretë [Hitler’s Engineers: Fritz Todt and Albert Speer - Master Builders of the Third Reich] nga Blaine Taylor.

Përveç librave, ka edhe artikuj të shumtë në revista shkencore. Por, ky është një libër për tregun masiv, të cilit shpesh nuk i njihet shumë inteligjenca që mbart; që në fillim na thuhet se Ushtria e Kuqe i përgjigjej “diktatorit sovjetik Josif Stalin”. (Të paktën na kursehet formula “diktatori nazist - Adolf Hitler”.)

Todt ishte një inxhinier shumë i kualifikuar, që kishte luftuar në Luftën e Parë Botërore dhe iu bashkua herët partisë naziste. Hitleri kishte shumë respekt për të, jo sepse ishte një servil - ishte shumë më pak i tillë sesa të tjerët që i përuleshin Fyrerit - por, sepse ishte jashtëzakonisht i aftë në punën e vet. Ai kishte një qasje realiste ndaj asaj që organizata e tij mund të arrinte, dhe kurrë nuk premtonte më shumë sesa ishte e mundur. Ëndrra e parë e madhe e Hitlerit për transformimin e Gjermanisë ishte përmirësimi i rrugëve, kështu që OT-ja ndërtoi autostradat [autobahn]. Hitleri i konsideronte ato gjithashtu thelbësore për të çuar shpejt trupat e tij në të gjitha cepat e Evropës, për të realizuar aktet e tij të pushtimit.

Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, OT-ja kishte prioritete të reja: Murin e Atlantikut, bazat e nëndetëseve, minierat për lëndë të para, bunkerët për qendrat e komandës dhe, pas sulmit shkatërrues të RAF-it [Forcat Mbretërore Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar] në Peneminde në verën e vitit 1943, fabrikat e mëdha nëntokësore për zhvillimin e raketave V-2 dhe për ndërtimin e aeroplanëve Messerschmitt. Këtu Dicku sfidoi veten: shumica e asaj që OT-ja arriti - apo synonte të arrinte - kërkonte punë skllavëruese. Si e tillë, OT-ja luajti rolin e saj në Zgjidhjen Përfundimtare dhe në krimet e tjera të luftës. Ky libër është një kujtesë dëshpëruese se shumica e udhëheqësve të organizatës, dhe mizorët kryesorë që punonin në të, shpëtuan pa u ndëshkuar.

Ndërtimi i fortifikimeve në Murin e Atlantikut

Vetë Todt nuk jetoi për të përjetuar drejtësinë: ai u vra në një përplasje aeroplani menjëherë pas një takimi me Hitlerin në postën e tij komanduese lindore në vitin 1942. Që atëherë, kanë qarkulluar teori konspirative se aeroplani u sabotua me urdhër të Hitlerit. Todt, i cili kishte një ndjesi të jashtëzakonshme për realitetin në një lëvizje të karakterizuar nga fanatizmi i verbër, kishte shkuar për t’i thënë Fyrerit të tij se lufta kundër Bashkimit Sovjetik ishte e pamundur për t’u fituar, dhe se gjermanët duhej të ofronin kushte paqeje përpara se konflikti të shkatërronte ekonominë e Rajhut. Dicku e hedh poshtë këtë teori dhe ka të drejtë të bëjë kështu, duke pasur parasysh mungesën e provave. Ai thekson se nëse Hitleri donte të hiqte qafe Todtin, kishte plot mënyra të tjera për ta bërë këtë.

Todt u pasua nga "djali me sy të kaltër" i Hitlerit, Albert Speer. Speer më vonë shërbeu 20 vjet në burgun “Spandau” për krime lufte, por arriti të magjepste disa nga gjykatësit në Nuremberg duke i bindur se nuk duhej varur. Megjithatë, përgjegjësia e tij për Organizatën Todt, urdhrat e përsëritur që jepte për përfundimin urgjent të projekteve infrastrukturore, pavarësisht nga kostoja, dhe kushtet çnjerëzore në kampet e punës për të cilat ai ishte përgjegjës, sugjerojnë se një litar rreth qafës ishte më e pakta që meritonte. Ai e shmangu fajësinë duke vazhduar të gënjente për atë që dinte - ose nuk dinte - gjatë 15 vjetëve ndërmjet lirimit të tij në vitin 1966 dhe vdekjes më 1981. Dick vë në dukje disa nga mospërputhjet në tregimet që Speeri dha në kohë të ndryshme, si dhe mungesën e tij të dukshme të ndërgjegjes se një akt i vazhdueshëm i gjenocidit po ndodhte.

Adolf Hitleri dhe Albert Speer inspektojnë modelin e Speerit për një stadium gjigant që do të ndërtohej në Nuremberg

Dick e paraqet shpesh historinë nga këndvështrimi i të skllavëruarve: hebrenj për të cilët përfshirja në një repart pune të OT-së ishte një mundësi për të shpëtuar nga dhomat e gazit, robër rusë të luftës, polakë dhe të tjerë nga territoret e pushtuara në Lindje. Kishte gjithashtu kriminelë gjermanë, të nxjerrë nga burgjet dhe të detyruar të punonin në projekte vdekjeprurëse, si hekurudha në veri të Norvegjisë që mund të ndihmonte në transportin e hekurit për në Rajh. Ata nga Evropa Perëndimore, të cilët nazistët i konsideronin superiorë në aspektin racor - francezë, holandezë, danezë - kishin trajtim më të mirë, por stafi drejtues dhe mbikëqyrës ishte pothuajse tërësisht gjerman dhe përfshinte numrin e duhur të sadistëve dhe psikopatëve.

Dick vë në dukje ndonjë oficer të rrallë më njerëzor të SS-së, por ata ishin raste të veçanta. Ai gjithashtu e bën të qartë se drejtuesit e OT-së jo vetëm që i ngarkonin të burgosurit deri në vdekje, por edhe i rrihnin për vdekje, i qëllonin me armë dhe ndonjëherë i varrosnin gjallë nëse kjo u përshtatej. Ata meritojnë vendin e tyre në turp, por pyetja se si ka mundësi që kaq shumë prej tyre i shpëtuan ndëshkimit për krimet e tyre të tmerrshme, tregon se sa joefektive ishte rivendosja e rendit në Gjermaninë pas nazizmit. /Telegrafi/