Burnhami duhet të zotërojë diçka që Starmeri nuk mundi: artin e marrëdhënieve me Trumpin


Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Tashmë gjithçka ka nisur të duket shumë reale. Të paktën kështu u shpreh Andy Burnham në ditën kur, në thelb, u bë kryeministër në pritje i Britanisë; një çast sa dehës aq edhe i kthjellët.
Dokumentet janë nënshkruar, zaret janë hedhur. Keir Starmeri ende nuk e ka lënë ndërtesën, por partia e tij tashmë flet për të sikur ai disi nuk mund të dëgjojë. Të premten, Burnhami bëri ndarjen e tij të parë të ashpër me paraardhësin, duke kërkuar ndjesë, mbi kokën e Starmerit, për mënyrën se si laburistët e trajtuan luftën në Gazë. Sipas tij, qeveria duhej të kishte bërë thirrje për armëpushim më herët dhe tani duhet të shtojë presionin ndaj Izraelit.
Meqenëse Ministria e Jashtme tashmë po shqyrton vendosjen e sanksioneve të mëtejshme, kjo, në njëfarë mënyre, përbën më pak një ndryshim dramatik në politikën e jashtme sesa një ndryshim të tonit në politikën e brendshme. Duke pranuar shqetësimin e thellë të krahut të majtë për Gazën, i cili pa dyshim shtyu një pjesë të votuesve laburistë drejt Partisë së Gjelbër, Burnhami po sinjalizon se, për mirë apo për keq, ai do t'i dëgjojë më me kujdes anëtarët e bazës sesa bëri Starmeri. (Megjithëse disa nuk do të jenë të kënaqur derisa ai ta quajë luftën gjenocid dhe të ndalojë shitjen e armëve.) Por, si çdo përpjekje për ta ashpërsuar politikën britanike ndaj Izraelit, kjo ngre gjithashtu disa pyetje interesante për marrëdhënien e tij me Shtëpinë e Bardhë.
Si do të sillet me këtë president kaq të vështirë pasi të marrë detyrën, njeriu të cilin Donald Trumpi e hodhi poshtë duke e quajtur "kryetar bashkie i një qyteti"? Megjithëse në disa drejtime gjithçka vazhdon si zakonisht - Burnhami u zotua këtë javë për objektivin e NATO-s prej 3,5 përqind për shpenzimet e mbrojtjes, pa shpjeguar se si do të paguhet, si edhe për ta mbajtur Jonathan Powellin në postin e këshilltarit për sigurinë kombëtare - ai hyn në detyrë në një pikë kthese për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Perëndimin.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, po i thotë secilit që dëgjon - përfshirë rrethin e Burnhamit me të cilin ka lidhje të ngushta nëpërmjet këshilltarit të tij, Andy Haldane, ish-zëvendësin e tij kur drejtonte Bankën e Anglisë - se Amerika e dikurshme nuk po kthehet. Edhe Giorgia Meloni e Italisë, dikur e preferuara e presidentit, duket se e ka humbur durimin me të.
Frustrimi ishte i dukshëm në samitin e NATO-s të zhvilluar këtë javë në Ankara, ku Trumpi kërcënoi se do të ndalonte tregtinë me Spanjën nëse ajo nuk bindet ndaj kërkesave të tij për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes; konfirmoi dëshirën e tij për të zotëruar Grenlandën; dhe, hodhi poshtë armëpushimin e brishtë në Gjirin Persik duke rifilluar bombardimet ndaj Iranit. Edhe më shqetësuese sesa rritja e çmimeve të naftës, që pasoi, është perspektiva e një lloji të ri konflikti të vazhdueshëm në Gjirin Persik, i cili do të ishte ekuivalenti vdekjeprurës i luftërave tregtare të Trumpit të cilat nisin e ndalen pa pushim dhe zhvillohen me pak konsideratë për normat ekzistuese ose për dëmin ndaj aleatëve.
Në librin e tij të ri, me titullin e drejtpërdrejtë Ten Steps to Prevent World War Three [Dhjetë hapa për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore], ish-ministri i Jashtëm dhe ushtaraku Tobias Ellwood përshkruan një të ardhme ku konfliktet e tilla janë bërë rutinë. Libri hapet në vitin 2040, duke imagjinuar Perëndimin teksa kthen kokën pas dhe vajton mundësitë e humbura në mesin e viteve 2020 për të shmangur katastrofën. Sepse, në vitin 2040, është tepër vonë: shkatërrimi nga Trumpi i rendit botëror të bazuar në rregulla i ka lejuar Kinës të mbushë boshllëkun, duke ndërtuar një rend të ri përmes aleancave strategjike me Rusinë dhe vendeve të tjera - bazuar në shtrëngim, destabilizim dhe sulme që mund të mohohen.
Lufta e Tretë Botërore e Ellwoodit nuk është një betejë e vetme territoriale, por një seri konfliktesh lokale dhe luftërash me ndërmjetës në mbarë botën, që krijojnë një klimë dhune dhe pasigurie pothuajse të përhershme, në të cilën tabutë e luftës - përfshirë edhe përdorimin e armëve bërthamore taktike - shkelen rregullisht. Grenlanda humb, NATO-ja shpërbëhet dhe qeveritë perëndimore reduktohen në administrimin degradues. Fatkeqësitë klimatike ose shpërthimet e sëmundjeve godasin më rëndë sesa do të godisnin në rrethana të tjera, sepse vendet nuk bashkëpunojnë kundër kërcënimeve të përbashkëta. Është vetëm një skenar i mundshëm, thekson Ellwoodi, jo parashikim. Megjithatë, është goxha i besueshëm për të qenë ngushëllues.
Receta e tij për ta shmangur këtë nis me përcaktimin e saktë se cilat pjesë të rendit botëror të bazuar në rregulla Perëndimi synon të mbrojë dhe, më pas, me bashkimin e vendeve me të njëjtin mendim rreth tyre. Të ribashkohet me Tregun e Përbashkët, të ndajë teknologjinë e energjisë së rinovueshme me vendet më të varfra, të zgjerojë pjesëmarrjen ushtarake evropiane në forcat me dislokim të shpejtë dhe të krijojë një "aleancë për stabilitet" të fuqive të mesme - nga Evropa deri në Kanada dhe nga India deri në Brazili - e përqendruar në parandalimin e hershëm dhe uljen e tensioneve përpara se konfliktet të përshkallëzohen në luftë të hapur.
Kjo agjendë nuk bie ndesh me profilin e Burnhamit, aftësia e të cilit si kryetar bashkie qëndronte në bashkimin e aleatëve me pikëpamje të ngjashme dhe i cili tashmë predikon ndërhyrjen e hershme në politikën e brendshme. Por, lë të hapur pyetjen se deri ku duhet shkuar në përballjen me njeriun që synon ta frenojë. Argumenti në favor të mbajtjes së marrëdhënieve të mira me Trumpin ka qenë gjithmonë se prej kësaj vareshin jetët e njerëzve: Ukrainës i duhej ndihma amerikane për të luftuar Rusinë, Evropës i duhej kohë për t'u riarmatosur dhe Britania mbështetet tepër te Uashingtoni si për parandalimin e saj bërthamor, ashtu edhe për shkëmbimin e informacionit të inteligjencës për të ndjekur një politikë konfrontuese.
Por, kërcënimi ndaj Grenlandës, i përsëritur edhe këtë javë, i bindi shumë udhëheqës evropianë se diçka duhej të ndryshonte. Ukraina ende ka nevojë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por më pak se më parë pasi ka zhvilluar kapacitetet e veta të prodhimit të armatimeve. Për më tepër, tani është Bashkimi Evropian ai që paguan për armët që furnizon Uashingtoni - një marrëveshje me të cilën Trumpi duket i kënaqur, gjykuar nga mënyra se si ai i vlerësoi këtë javë sulmet e guximshme të Ukrainës me dronë në territorin rus. (Në mënyrë paradoksale, ndonëse ngurronte ta ndihmonte Ukrainën pikërisht kur ajo kishte më shumë nevojë për të, ai nuk humbet asnjë rast për t'u lidhur me suksesin.)
Starmeri nuk gaboi kur bëri ato udhëtime poshtëruese në Uashington. Ai mund të ndihet krenar që ndihmoi në fitimin e kohës për Ukrainën, e cila e shfrytëzoi atë me zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm, si dhe për shumë nga fqinjët e saj. Vendi i cili, në mënyrë ironike, e shpërdoroi atë periudhë ishte Britania. Duke mos ia shpjeguar kurrë siç duhet publikut nevojën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, e aq më pak mënyrën se si do të financoheshin ato, Starmeri tani ia lë këtë rrëmujë - së bashku me disa zgjedhje historike lidhur me marrëdhënien e veçantë me Shtetet e Bashkuara - pasardhësit të tij ende të papërvojë.
Nëse e ka seriozisht kur thotë se do të kalojë më pak kohë me politikën e jashtme sesa "Keiri i cili nuk ishte kurrë këtu", atëherë, në këto rrethana Burnhamit do t'i duhet një ministër i Jashtëm i jashtëzakonshëm. (David Miliband, i cili e mbajti këtë post në qeverinë e Gordon Brownit dhe që fare mirë mund të ishte bërë ambasador i Britanisë në Uashington po të kishte fituar Kamala Harrisi në vitin 2024, tani dukshëm po paraqitet si kandidat.)
Por, atij do t'i duhet gjithashtu të zotërojë diçka që Starmeri nuk arriti ta zotëronte, atë që një ish-ministër i Jashtëm e quan arti i titrimit: matjen me kujdes të dozës së çdo ndryshimi sado të vogël në politikë ose të çdo gjesti simbolik, në mënyrë që ai të jetë mjaftueshëm i fortë për të shkaktuar reagimin e dëshiruar dhe asgjë më tepër. Mjaftueshëm i vendosur për Gazën që të mos duket bashkëfajtor moralisht, por pa mohuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje. Jo tepër afër Trumpit, por vetëm aq sa duhet. Dhe, çdo herë, me një fije floku që ndan suksesin nga ai lloj dështimi për të cilin, deri në vitin 2040, fëmijët tanë mund të pendohen me hidhërim. Për një gjë Burnhami ka të drejtë: më reale se kaq nuk bëhet. /Telegrafi/
































