Brazili lëshon urdhër-arrest për Ervin Matën, mediat: Shqipëria kërkon ekstradimin

Autoritetet braziliane kanë lëshuar një urdhër-arrest për shtetasin shqiptar Ervin Mata, 38 vjeç, i njohur si një biznesmen i profilit të lartë që jeton në Brazil.
Vendimi është marrë nga Ministri Alexandre de Moraes i Gjykatës së Lartë Federale (STF), më 11 mars të këtij viti, por është bërë publik vetëm më 23 shtator – shkruan CNN Brazil.
Masa është marrë në kuadër të një kërkese për ekstradim të paraqitur nga autoritetet shqiptare, ndërkohë që çështja po trajtohet në mënyrë konfidenciale nga STF ndërsa deri më tani, Mata nuk është arrestuar.
Në vendimin e Gjykatës së Lartë Federale, ministri Alexandre de Moraes thekson se qëllimi i paraburgimit është garantimi i ekzekutimit të urdhrit të ekstradimit:
“DEKRETOJ arrestimin paraprak të ERVIN MATA-s, duke urdhëruar lëshimin e një urdhër-arresti, përmbushja e të cilit duhet t’i komunikohet menjëherë kësaj Gjykate Supreme, Ministrisë së Drejtësisë, Interpolit dhe përfaqësisë diplomatike të shtetit të interesuar.”
Sipas CNN Brazil, autoritetet shqiptare e akuzojnë Matën për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe krijim të një shoqate kriminale ndërsa mediat shqiptare raportojnë se Ervin Mata është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023.
Mata është një emër i njohur për publikun shqiptar, pasi rezulton i përfshirë në ngjarjen e ndodhur te lokali “Monopol”, gjatë përplasjes me Ervis Martinajn ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha.
Po ashtu, ai përmendet edhe në hetimet e SPAK, në lidhje me dyshimet për përfshirje në trafikun e drogës që lidhet me djalin e ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Erzen Breçani./euronews/



















































