BQK dhe BQE nënshkruajnë marrëveshje për parandalimin e falsifikimit të parave

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e luftimit të falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke forcuar më tej angazhimin institucional për mbrojtjen e integritetit të parasë së gatshme në qarkullim dhe sigurimin e stabilitetit financiar të vendit.
Guvernatori i BQK-së, Ismaili, dhe Presidentja e BQE-së, Lagarde, nënshkruan këtë marrëveshje që shënon një moment të rëndësishëm në përafrimin me standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.
“Sistemi i Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS) do të na mundësojë identifikimin dhe analizën e kartëmonedhave euro të falsifikuara, duke e bërë më efikase luftën kundër këtij fenomeni,” theksoi Guvernatori Ismaili.
Përmes kësaj marrëveshjeje, BQK do të ketë akses në mekanizmat operativë të BQE-së, si dhe do të integrohet në rrjetin profesional të bashkëpunimit me bankat qendrore të Eurosistemit dhe institucionet partnere jashtë zonës euro, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky bashkëpunim është rezultat i një përpjekjeje ndërinstitucionale në Kosovë, e udhëhequr nga BQK në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Ky bashkëpunim hap rrugën për avancimin e kapaciteteve tona institucionale, teknike dhe operacionale, në një përpjekje të përbashkët për të luftuar një dukuri që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe qasje sistematike,” u thuhet në njoftimin nga BQK.
Marrëveshja mbështet edhe krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve në Kosovë, si pjesë e projektit TAIEX të Bashkimit Evropian.
BQK riafirmoi përkushtimin e saj për forcimin e kapaciteteve të brendshme, modernizimin dhe automatizimin e përpunimit të parasë në përputhje me standardet e Eurosistemit, si dhe për rritjen e vetëdijes publike në këtë fushë.
“Ne jemi të përkushtuar për avancimin e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian,” përfundon njoftimi i BQK-së. /Telegrafi/



















































