Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës të martën kanë ndaluar një automjet në territorin e Prishtinës, ndërkaq gjatë kontrollit të automjetit, është konstatuar se brenda tij transportoheshin produkte të padoganuara të llojit “botox” dhe “fillerë” (produkte për përdorim estetik).


Në njoftimin e doganës bëhet e ditur se pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, është kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur dhe ndaluar një sasi shtesë e këtyre produkteve.

“Duke marrë parasysh se këto produkte kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës. Rasti, sipas procedurave ligjore, është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.

Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet të jetë rreth 5,000 euro. /Telegrafi/