Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk do të të fajësoj nëse e ke mbyllur telefonin në një sirtar, e ke fshehur gazetën poshtë divanit ose e ke shkëputur radion nga priza. Mjafton një vështrim i shpejtë ose një dëgjim gjysmak i titujve të lajmeve për të të zhytur në një humnerë zymtie.


Nëse nuk është administrata Trump që po i jep fund financimit 500 milionë dollarësh për programet e vaksinimit që ndihmuan të shpëtohen miliarda njerëz nga kërcënimi i Kovidit - si pjesë e përpjekjes këmbëngulëse të Robert F. Kennedy Jr-it. për të prapësuar vaksinimin masiv, një nga dhuratat më të mëdha që shkenca i ka dhënë njerëzimit - është agonia e vazhdueshme e Gazës që do të rritet pasi Benjamin Netanyahu iu përgjigj thirrjes globale për ndalimin e përdorimit të urisë si armë - jo duke rritur fluksin e ndihmës humanitare në territor, që është kaq e nevojshme, por duke e përshkallëzuar më tej luftën me kabinetin e tij të sigurisë duke rënë dakord, herët të premten në mëngjes, për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës.

Nëse nuk është kriza klimatike që thyen rekorde të nxehtësisë verë pas vere, është masakra në Sudan e më shumë se 1 500 civilëve që strehoheshin në një kamp për të zhvendosurit, një sulm i kryer brenda 72 orëve të përgjakshme të paramilitarëve të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe - një aleat perëndimor.

Ose është shpërbërja e ngadaltë e tolerancës që kishte rezistuar në mënyrë të papërsosur për dekada - mjafton të shohësh ata me megafonë të zhurmshëm që po nxisin hapur ndjekësit e tyre të përsërisin dhunën e gushtit të kaluar në Angli dhe në Irlandën e Veriut kundër azilkërkuesve, ose qytetin spanjoll që ka ndaluar festimin e festave fetare myslimane në hapësira publike.

Furnizimi me lajme të këqija është i bollshëm dhe duket i pafund. Ti vajton për atë që po ndodh tani, me përhapjen e rrjeteve sociale që pompojnë gënjeshtra, qofshin të krijuara nga inteligjenca artificiale apo nga njerëzit, si dhe urrejtje - dhe pastaj të kujtohet e kaluara jonë e afërt. E mërkura shënoi 80-vjetorin e ditës kur një bombë atomike, padyshim një nga trashëgimitë më të errëta që shkenca i ka dhënë njerëzimit, mori jetën e deri 140 mijë njerëzve në Hiroshimë.

E gjitha kjo mund ta çojë edhe një person të arsyeshëm në dëshpërim për qeniet njerëzore dhe për atë çfarë ata janë në gjendje të bëjnë. Tundimi është i madh për të ikur, për të fikur lajmet dhe për t’u larguar.

E, megjithatë, këtu paraqitet një problem i ri: faji. Kur luftërat vazhdojnë dhe të pafajshmit masakrohen, mund të duket egoiste, madje e kotë, të mendosh ose t’i kushtosh vëmendje ndonjë gjëje tjetër. “Mos e shmang shikimin”, thërrasin ata që postojnë tmerrin grafik në rrjetet sociale. Megjithatë, është e fuqishme nevoja për të kthyer shikimin diku tjetër dhe për t’u larguar, pikërisht për shkak të trazirave përreth.

Paraprakisht, dua të jap një argument moral për arratisjen, për t’i lejuar vetes një pushim nga ngjarjet e botës. Jo mbi bazat terapeutike të mirëqenies personale dhe të shëndetit mendor - edhe pse ato janë padyshim të dukshme - por, si një mjet thelbësor për të ruajtur aftësinë tonë për ta parë botën dhe njerëzit rreth nesh.

Kënaqësia ime disi e fajshme këtë verë ka qenë që të ndjek garën mes ekipeve të kriketit të Anglisë dhe Indisë, e cila të hënën arriti në një kulm emocionues. E kuptoj që mund të ketë lexues të Guardian-it - dhe jo vetëm në ShBA - të cilët do të jenë gati të rrëshqasin gishtin, ose të kthejnë faqen, sapo të dëgjojnë fjalën kriket. Por, qëndroni me mua, sepse kjo nuk është një çështje mbi sportin, por mbi jetën.

Gjatë pesë ndeshjeve të veçanta, secila e luajtur nga mëngjesi deri në mbrëmje për pesë ditë rresht, këto dy skuadra prej 11 burrash luftuan me gjithçka që kishin. Ishte një garë fizikisht rraskapitëse. Kapiteni i Anglisë, Ben Stokes, që duket sikur mund të kishte komanduar një tog ushtarësh në llogoret e Somës, ka një trup të lodhur prej viteve të tëra të përpjekjeve të pandërprera. Ai është lojtar i gjithanshëm, si goditës ashtu edhe gjuajtës gjë që, kombinuar me detyrat e tij si lider, do të thotë se pushon shumë rrallë. Pas njërës prej pesë ndeshjeve, ai u detyrua të qëndronte në shtrat për katër ditë.

Ndeshja e tretë Test u fitua në momentet e fundit falë një topi të hedhur nga Shoaib Bashiri i Anglisë. Ai arriti ta rrotullonte në mënyrën që hutoi kundërshtarin i cili e ballafaqoi dhe e bëri këtë pavarësisht se kishte një gisht të thyer. Në momentet e fundit të ndeshjes finale të së hënës, Chris Woakes i Anglisë hyri në fushë, gati për të përballuar një top të fortë e të rëndë kriketi që po vinte drejt tij me shpejtësi marramendëse prej 90 milje në orë [149 kilometra në orë], me një krah në fashë dhe shpatullën e zhvendosur. Kur vraponte, fytyra e tij ishte një maskë e dhimbjes. Në fund, Anglia për pak nuk arriti fitoren.

Ishin 25 ditë magjepsëse, ndonjëherë të luajtura nën diellin e fortë të verës, ndonjëherë të ndërprera nga shiu i korrikut. Ajo që pamë nga të dyja skuadrat ishte një shfaqje aq ekstreme e vendosmërisë që rrallë shihet jashtë sferës së fanatizmit të dhunshëm. Pati momente marrëzie dhe dështimi, topa të lëshuar nga duart dhe vendime të këqija, por këta ishin atletët të cilët synonin, dhe shpesh arrinin, majat e ekselencës së vërtetë. Nuk kishe pse të ishe tifoz i kriketit për hasur në një pamje emocionuese. Në fund, seria u mbyll me barazim, dhe ndoshta kjo ishte mënyra e duhur. Skuadrat kishin barazuar njëra-tjetrën në vendosmërinë për të mos u mposhtur.

Mund të thuash të njëjtën gjë për “Luaneshat” [Lionesses], gratë e Anglisë që ishin aq pranë humbjes në kampionatin evropian të futbollit saqë pothuajse siguruan një vend në autobusin e ekipit, por nuk u dorëzuan kurrë. Përkushtimi i tyre për të pasur sukses, për të qenë më të mira, ishte magjepsës për t’u parë.

Por, kjo nuk kufizohet vetëm te sporti. Shiko interpretimet e Florence Huntit dhe Rory Walton-Smithit, dy protagonistët e rinj në dramën e BBC-së, Mix Tape, dhe sheh një përshkrim të përsosur të dashurisë së parë. Ose mund të lexoje këtë javë një rrëfim prekës për atë që është me siguri turneu lamtumirës i të madhit Paul Simon. Autori vuri re se zëri i Simonit nuk është më ai që ishte, se “ka humbur lartësitë dhe thellësitë, i mbetur në një mesatare”. Grupi në skenë përshtatet me këtë, por “Simoni është një artist i tillë, aq muzikor për nga natyra saqë nxjerr maksimumin nga zëri që ka, duke shtrydhur çdo grimcë ndjenje dhe nuance prej tij. Mund ta shohësh duke punuar për këtë, po aq i përkushtuar ndaj cilësisë si gjithmonë”.

Ky ndjekje e përpiktë e ekselencës është fija që kalon nëpër John & Paul, studimi jashtëzakonisht i mirë i Ian Lesliet për Lennonin dhe McCartneyin dhe për muzikën e përjetshme që secili nxiti te tjetri. Është një kujtesë e asaj që njerëzit mund të bëjnë, majat që mund të arrijnë, gëzimin që mund të sjellin.

Asnjë nga këto nuk i largon gjërat e tjera. Trumpi është ende aty kur mbaron ndeshja Test; vdekja ende endet në Gazë kur mbyll librin e Lesliet. Por, gjithsesi është një antidot i dobishëm. Jo, jo i dobishëm - thelbësor. Sepse kur ndjejmë veten të zhytur në humnerë, kur dëshpërimi ynë për qeniet njerëzore të tërheq më fort, atëherë kemi më shumë nevojë të shohim lart - dhe të hedhim një vështrim drejt yjeve. /Telegrafi/