Bota dëshiron t’i ndalojë fëmijët nga rrjetet sociale, por kjo do të ketë pasoja të rënda të gjithë ne

Sistemet e verifikimit të moshës kërkojnë mbledhjen e të dhënave të ndjeshme për të mbështetur informacionin biometrik. Shumë shpejt, interneti do të shndërrohet në një panoptikon dixhital plotësisht të mbikëqyrur.
Nga: Taylor Lorenz, gazetare e teknologjisë, autore e buletinit “User Mag” dhe e librit bestseller Të jetosh onlajn: Historia e patreguar e famës, ndikimit dhe pushtetit në internet [Extremely Online: The Untold Story of Fame, Influence, and Power on the Internet] / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Gjatë vitit të kaluar, më shumë se dy duzina vendesh në mbarë botën kanë propozuar ndalime të përdorimit të rrjeteve sociale për pjesë të gjera të popullsisë së tyre. Këto ligje, shpesh të propozuara nën petkun e “sigurisë së fëmijëve”, po sjellin një epokë të mbikëqyrjes masive dhe të censurës së përhapur, duke kontribuar në atë që studiuesit e kanë quajtur një “recesion global i lirisë së shprehjes”.
Vitin e kaluar, Australia u bë vendi i parë që ndaloi këdo nën moshën 16-vjeçare të ketë qasje në rrjete sociale. Ky hap inkurajoi vendet e tjera në mbarë botën që ta ndiqnin shpejt këtë shembull. Partia në pushtet në Gjermani njoftoi se po e mbështet një ndalim të rrjeteve sociale. Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një ndalim të rrjeteve sociale për nën 15-vjeçarët. Në Mbretërinë e Bashkuar, Keir Starmer ka kërkuar të zbatojë ndalime të gjera të rrjeteve sociale. Greqia, Filipinet, Indonezia, Malajzia, Singapori dhe Japonia kanë ndjekur gjithashtu ligje të ngjashme për verifikimin e identitetit në internet.
Në ShBA, ligjet për verifikimin e moshës onlajn janë miratuar ose po shqyrtohen në më shumë se gjysmën e shteteve të vendit. Në javët në vijim, një paketë prej 19 projektligjesh për “sigurinë e fëmijëve”, disa prej të cilave kërkojnë verifikim identiteti për rrjetet sociale, pritet të lëviz përpara në Dhomën e Përfaqësuesve. Platformat e mëdha teknologjike, si Meta, Google dhe Discord, kanë filluar të përshtaten paraprakisht me këto ligje për të paraprirë rregullimin.
Ndërsa ndalimet e rrjeteve sociale mund të duken si masë e arsyeshme për të mbrojtur fëmijët, ato jo vetëm që janë joefektive, por rrezikojnë si fëmijët ashtu edhe të rriturit. Ka pak prova që rrjetet sociale po nxisin ndonjë lloj krize të përhapur të shëndetit mendor te fëmijët. Studimet kanë treguar vazhdimisht të kundërtën. Heqja e anonimitetit nga interneti, gjë që do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme kur kompanitë teknologjike do të detyrohen të identifikojnë dhe të ndalojnë fëmijët, lejon ndjekje më të lehtë nga qeveritë dhe censurë të gazetarëve, aktivistëve dhe sinjalizuesve, të cilët mbështeten në anonimitetin e onlajnit.
Dhe, derisa disa pretendojnë se këto ligje do të kufizonin fuqinë e teknologjisë së madhe, vetëm kompanitë më të mëdha teknologjike kanë burimet për të përballuar kostot e mëdha të sistemeve të verifikimit të moshës. Platformat jofitimprurëse dhe ato të pavarura mund të detyrohen të mbyllen, duke konsoliduar më tej fuqinë e gjigantëve teknologjikë. Sistemet e mbikëqyrjes masive, pasi të ndërtohen, mund të shfrytëzohen lehtësisht nga qeveritë dhe akterë keqdashës.
Nëse duam të zgjidhim problemet me rrjetet sociale, pika e nisjes është reforma gjithëpërfshirëse e privatësisë së të dhënave dhe mbrojtja e konsumatorëve. Qeveritë mund të ndërmarrin gjithashtu hapa për të ndarë kompanitë e mëdha teknologjike dhe për t’i ndjekur penalisht për sjellje antikonkurruese. Ligjvënësit, të cilët pretendojnë se kujdesen për fëmijët, mund të miratojnë politika më të gjera sociale dhe ekonomike të cilat e dimë se do të përmirësonin realisht jetën e fëmijëve. Rrjetet sociale janë një vijë jetese, veçanërisht për të rinjtë e margjinalizuar, si adoleshentët LGBTQ+. Çdo politikë që kufizon qasjen në internet duhet të përqendrohet te fëmijët dhe të rriturit më të cenueshëm.
Për të zbatuar ndalimet e rrjeteve sociale që po propozohen në mbarë botën, kërkohet një lloj i sistemit të verifikimit të moshës, që në thelb nënkupton zgjerimin e teknologjisë së mbikëqyrjes. Meqenëse sistemet algoritmike nuk mund ta vlerësojnë saktësisht moshën, verifikimi i moshës së një përdoruesi kërkon gjithashtu mbledhjen e të dhënave shumë të ndjeshme ose dokumenteve qeveritare për të mbështetur të dhënat e mbledhura biometrike. Ligjet që po shqyrtohen nuk e përcaktojnë, që të gjitha ato, se cili sistem do të përdoret, por te të gjitha ato ka shqetësime të rëndësishme për privatësinë dhe sigurinë.
Çështja thelbësore me “verifikimin e moshës” përmes teknologjisë është se nuk ekziston. Qeniet njerëzore nuk plaken në mënyrë lineare. Nuk ka asnjë transformim fiziologjik që ndodh natën e ditëlindjes suaj të 16-të apo të 18-të që do t’i lejonte një inteligjence artificiale të përcaktonte me saktësi moshën tuaj, veçanërisht gjatë pubertetit. Si rrjedhojë, sistemet e verifikimit të moshës që mbështeten në mbledhjen e të dhënave biometrike, duhet gjithashtu të kërkojnë dokumente qeveritare identifikimi ose informacione të tjera shumë të ndjeshme personale për ta lidhur profilin e përdoruesve me identitetin e tyre jashtë internetit dhe për të konfirmuar moshën e tyre.
Ky sistem jo vetëm që u lejon kompanive të mëdha teknologjike të mbledhin edhe më shumë të dhëna thellësisht personale për fëmijët, por krijon edhe rreziqe të mëdha për sigurinë kibernetike. Të dhënat e mbledhura nga sistemet e verifikimit të identitetit nuk mbeten private. Në tetor të vitit të kaluar, Discord-i pësoi një shkelje të madhe të të dhënave të identitetit të mbledhura nga një kontraktor për qëllime të verifikimit të moshës. Këtë javë, studiuesit zbuluan se softueri i tij për verifikimin e moshës ka lidhje me investitorë të lidhur me përpjekjet e mbikëqyrjes së qeverisë amerikane.
Një tjetër problem tinëzar me këto ligje është lëvizja politike reaksionare që qëndron pas tyre. Në ShBA, grupet të cilat kanë luajtur një rol kyç në lobimin për verifikimin e moshës përfshijnë Fondacionin “Heritage” [Heritage Foundation], think-tankun e djathtë që organizoi Projektin 2025 [Project 2025], dhe Qendrën Kombëtare për Shfrytëzimin Seksual [National Center on Sexual Exploitation - NCOSE], i njohur më parë si Morali në Media [Morality in Media], një organizatë aktiviste e ekstremit të djathtë me lidhje me fundamentalizmin fetar që prej dekadash ka luftuar për të kufizuar përmbajtjen “e pahijshme” në internet.
As koha e miratimit të këtyre ligjeve nuk mund të ndahet nga goditjet më të gjera ndaj lirisë së shprehjes dhe protestës nën administratën Trump në ShBA. Ndalimi i TikTok-ut u miratua pas protestave studentore kundër mizorive të kryera në Gazë. Aktivistët studentorë kanë luajtur rol vendimtar në përpjekjet nga baza për të mbrojtur emigrantët prej agjentëve të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të ShBA-së (ICE) që kërkonin t’i çonin në qendra ndalimi. Mes gjithë kësaj, qeveria amerikane ka përshkallëzuar sulmet ndaj fjalës anonime në internet, duke mbushur kompanitë teknologjike me thirrje gjyqësore për informacion mbi qindra llogari anonime në rrjetet sociale kundër ICE-së. Ndërsa situata është më pak e rëndë në Mbretërinë e Bashkuar, qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë të prira të godasin protestat, shpesh të përfshira nga të rinj, përkitazi me krizën klimatike dhe Gazën.
Ari Cohn, këshilltari kryesor për politikën e teknologjisë në Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale [Foundation for Individual Rights and Expression - Fire], vuri në dukje se vendimi i partisë në pushtet në Gjermani, Unioni Demokristian, për t’i kërkuar qeverisë federale të vendosë kufizime moshe për rrjetet sociale, vjen menjëherë pasi policia gjermane nisi hetime ndaj individëve që kishin fyer kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, në Facebook.
“Të gjithë ligjvënësit do të pretendojnë se po e bëjnë këtë [verifikimin e moshës] për të mbrojtur të rinjtë nga ndonjë dëm, por ata nuk po e përmendin pushtetin e përshtatshëm që kjo i jep qeverisë për të kontrolluar dhe frenuar fjalën që ata kundërshtojnë, madje edhe për të ndëshkuar kritikët e tyre”, më tha Cohn.
Në vend që të trajtojnë shkaqet e njohura të vështirësive mes të rinjve, politikanët në mbarë botën duket se janë të vendosur ta shfrytëzojnë vuajtjen e tyre për të shtyrë para ligjet të cilat do të na heqin si të rinjve ashtu edhe të moshuarve të drejtat tona. Mbrojtja e fëmijëve nga dëmet në onlajn është një qëllim fisnik, por zgjidhja nuk është te ndalesat që mbështeten në ligje të verifikimit të moshës.
Kjo mund ta transformojë internetin nga një hapësirë e lirisë së shprehjes në një panoptikon dixhital plotësisht të mbikëqyrur, ku çdo veprim që bëni lidhet me dokumentin tuaj zyrtar të identitetit. Pasi të ndërtohet, kjo infrastrukturë mbikëqyrjeje do të abuzohet, ashtu siç është abuzuar çdo zgjerim i mëparshëm i pushtetit qeveritar për mbikëqyrje dhe censurë. Duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’i ndalur këto ligje aty ku mundemi dhe për të ruajtur një internet të lirë dhe të hapur. /Telegrafi/
















































