AAK tha se do ta mbështesnin për kryeparlamentare, reagon Bogujevci: Sot jam e preferuara, dje më quanin të padenjë

Pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kishte deklaruar se nëse Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishin kandidate për kryeparlamentare ata do ta votonin, ka reaguar Bogujevci.
Ajo në një postim në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky diskurs vjen nga ata që nuk kanë të drejtë të propozojnë kandidatë për kryeparlamentar.
Sipas Bogujevcit, po të njëjtit nëpër studio televizive nuk lanë gjë pa thënë për të, sot siç tha ajo “qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit”.
“Është interesant ku dojnë me dërgu debatin dhe diskursin publik, duke u mundu me kriju një narrativë tek populli për veprimet e tona politike. Propozim nga ata që nuk e kanë të drejtën për me propozu, tek ata që dojnë me determinu rrjedhën e politikës tane, ama për vete mos me ju përzi kërkush,e deri tek studiot televizive ku nuk lanë gjë të zezë pa thane deri dje, përfshi edhe kur thonin se si unë jam amatere dhe nuk jam e denjë për me udhëheqë seancë e tash qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit. Shumë interesant”, ka thënë Bogujevci.
Gjithashtu ajo tha se LVV-ja e ka bërë propozimin e saj dhe se atë do të mbështesin. /Telegrafi/


















































