Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të martën se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ky vendim ka ngjallur reagime të ndryshme në skenën politike dhe diplomatike të vendit.

Në një konferencë për media, presidentja Osmani deklaroi se tërheqja e kërkesës është bërë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e vlerëson si një figurë problematike për sigurinë e shtetit, transmeton Telegrafi.


“Sot, në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren përkatëse, kam tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës, tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë rast është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare”, deklaroi Osmani.

Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Në deklaratën e tyre thuhet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj, dhe se vendimet e saj duhet të respektohen nga të gjitha palët.

"Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është thelbësore për demokracinë në Kosovë. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët, dhe vendimet e Gjykatës duhet të respektohen dhe zbatohen", thuhet në reagimin e ambasadës.

Të mërkurën, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një sqarim rreth gjyqtarit serb.

Në sqarimin thuhet se ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri.

“Bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Gjykata Kushtetuese ka treguar se Laban është i punësuar që nga viti 2011.

“Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë”, bëhet e ditur në reagim.

Kush është Radomir Laban?

Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet. /Telegrafi/