Blerjet për tryezën e Vitit të Ri, qytetarët ankohen për çmimet e larta

Për festa dhe për fundvit, çmimet në tregun e Bit Pazarit janë rritur, ankohen qytetarët. Ata njëherësh apelojnë që të merren masa që të ulen çmimet, sidomos në prag të festave, ku qytetarët kanë nevojë më shumë të blejnë dhe të festojnë në shtëpitë e tyre.
“Çmimet edhe para festave kanë qenë kështu të larta, edhe para, edhe pas festave. Çmimet janë të larta, kështu është tek ne, edhe rrymën e kemi shtrenjtë.”, – tha një qytetar.
“Janë rritur pak çmimet. Çmimet në krahasim me vitet e kaluara janë më të larta, papunësi e madhe, çka vjen prej jashtë është më e shtrenjtë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Normalisht çmimet para Vitit të Ri gjithnjë shtrenjtohen. Të gjitha janë më shtrenjtë, edhe frutat edhe perimet.”, – u shpreh një qytetar.
“Apeloj që të ulen çmimet, që të jetojmë një jetë më normale, sepse gjithçka është shtrenjtë.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
Tregtarët, nga ana tjetër, thonë se nuk kanë shitje mjaftueshëm edhe pse jemi në prag të fundit të vitit dhe festave më pas.
“Po, çmimet janë rritur shumë, jo pak. Po pritet në këtë shtet, nuk ka asgjë të sigurt, kur thonë se nuk ka rritje të çmimeve, përkundrazi rriten edhe më shumë, çka do të bëjmë nuk e dimë. Po, blejnë shumë pak, jo si më parë.”, – tha një tregtar.
“Qytetarët blejnë, por jo si duhet. Çmimet u duken të larta dhe me të drejtë e kanë.”, – tha një tregtar tjetër.
Përderisa çmimet në vazhdimësi rriten, qytetarët janë në pritje të masave konkrete nga Qeveria për vitin e ardhshëm. /rtvm2

































