Nga: Ndriçim Kulla
At Zef Valentini ishte një njeri që i kishte pasion polemikat intelektuale, debatet jo vetëm në faqet e shtypit, por edhe në biseda të drejtpërdrejta me njerëzit. Natyrisht që preferonte të bisedonte me ata që i shihte si kundërshtarë ideorë, ata intelektualë të rinj të cilët e mbanin veten si liberalë, reformatorë, duke qenë liberalizmi i tyre laik në formë, por ateist në përmbajtje. Kur At Valentini ndeshte në biseda ku rriheshin ide të tilla, ai nuk përtonte që të merrte pjesë, pavarësisht se ku bëhej ajo.
Në sa e sa tavolina kafenesh në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë sot bëhen biseda të shumta nga intelektualët liberalë mbi atë se çfarë duhet bërë dhe si duhen bërë gjërat që të përparojë Shqipëria, se si duhet evropianizuar njeriu shqiptar. Kështu ndodhte edhe në kohën kur At Zef Valentini ishte në Shqipëri. Në atë kohë intelektualë, të rinj liberalë që ishin kthyer në Shqipëri nga universitetet perëndimore, diskutonin me zjarr me njëri-tjetrin se si duhej ndryshuar njeriu shqiptar, që të evropianizohej dhe të zhvillohej vendi sipas modelit perëndimor. Një bisedë të tillë ku u ndodh i pranishëm rastësisht, e përshkruan At Valentini në artikullin e tij me titull “Shpirti kritik”, të botuar në revistën “Leka” në vitin 1935. Pikërisht në atë vit kur At Zef Valentini u kthye në Shqipëri si një njeri tanimë i formuar kulturalisht, pas vitesh të tëra studimesh filozofike-teologjike, si dhe i kalitur në ushtrimet shpirtërore të famshme jezuite. Ai e quante si një pjesë të misionit të tij përpjekjen që të ndriçonte mendjen e intelektualëve të rinj liberalë shqiptarë, të cilët kalonin me orë të tëra në biseda të gjata mbi temat që përmenda më lart. Nga mendimet që At Valentini ka shprehur në këto lloj bisedash kanë dalë disa nga faqet më të mira të artikujve të tij. Në artikullin “Shpirti kritik” ai shkruan:
“… Nji gja na lypet doemos, ta njallim më shpirtin e rijnis s’onë: asht ‘shpirti kritik’. Këtë duhet ta zhvillojmë na, e këtë duhet ta fitojë mosha e re …
Këto fjalë më rane në vesh si padashtë, më sa kalojshe bri parmakve të njaj kafje venduemun mjes dy rrugvet, në të cillën ishin ndejë dy miq të mij rreth njej tavoline e para njij shishje birre e dy gotave të shprazta.
S’e pata menden të ndalem e të rrijë n’at kafe, e sidmos n’at kohë në të cillën do punë të tjera më pritshin njeti.
U flitte për rijni, për edukatë, e un qi për profesjon tash ma se tridhetë vjet, mundohem të përhapi edukaten e shëndoshtë, nuk mund u prita, dhe tue dredhue rrugë futem mbrenda parmakvet, i përshëndes ata zotnij dhe me leje të tyne ulem e marr pjesë në at bisedë”.
Kuptohet se fjala është për bisedën e dy shqiptarëve intelektualë, me ide liberale, të cilët ishin miq të At Valentinit, ose që më saktë ai mendonte se i kishte miq, se në këtë bisedë ata zbuluan bindjet e tyre të vërteta. Tema për të cilën ata po diskutonin ishte një temë të cilën At Zef Valentini e kishte shumë për zemër. Në një artikull tjetër të tij ai shkruante:
“Shumë herë revista e jonë ka folë për ndërgjegjë, aq sa e bani pothue rubrikë: ndërgjegja komtare, ndërgjegja profesjonale, ndërgjegja tregtare, ndërgjegja … publiqitare, po edhe ndërgjegja publiqitare, sado që me fryt jo tepër të madh n’u dashtët me gjykue prej disa publiqistave qi sivjet kanë diftue se u mungon edhe fjesht ndërgjegja. Tash kishim me mujtë me shtue një tjetër kaptinë: ndërgjegja kritike.
Pse na punën e kritikut e quejmë një funkcjon: një funksjon të lirshëm në daç, por qi, kur ta ketë marrë nieri mbi vedi, vën do detyrë të premë”.
At Valentini e dinte se një shoqëri nuk mund të zhvillohej nëse nuk zhvillonte te vetja ndërgjegjen kritike. Në qoftë se do të viheshin të gjithë artikujt e tij publicistikë nën një okielo kjo nuk mund të ishte tjetër veçse për të zhvilluar një ndërgjegje kritike te shqiptarët. Kështu që At Valentini nuk mund të kalonte tutje kur dëgjoi se po bëhej një bisedë për temën e tij të preferuar. Ja se si e tregon ai vazhdimin e kësaj ngjarjeje në artikullin e tij të përmendur më lart “Shpirti kritik”:
“Ele, si kjeçë tue thanë, pa e tjerrë tepër gjatë pëves:
– Shpirtin kritik?
– Po – më përgjegjin – njat shpirt kritike, që mos ta pranojë kurrgja për të vërtetë, për pa e pasë shqyrtue lirisht.
– A nuk ju duket ky nji hap tepër i guxueshëm?
– Aspak, madje i nevojshëm. Duhet ta rrisim rrijnin t’onë të lir e të pamvarun nga disa mendime dhe teori të ndryshkuna”.
Siç shihet këtu, bëhet fjalë për mendime tipike konfuze të një krahu të intelektualëve shqiptarë të kohës të cilët e mbanin veten si progresistë dhe të tillë që i kishin njohuritë e nevojshme filozofike, sociologjike, antropologjike për të gjetur recetat me të cilat duhej reformuar shoqëria shqiptare. Por, idetë që shprehnin ata grimca dhe shartesa të rrymave të ndryshme filozofike perëndimore dhe të filozofëve të tyre, siç ishte rasti, ku duket ndikimi i pozitivizmit të Ogyst Kontit dhe të neopozitivistëve që kishin nisur të dilnin në kohën që bëhej kjo bisedë.
Në paragrafin e mësipërm të bën përshtypje takti me të cilin At Zef Valentini merr pjesë në debatin e miqve të tij. Megjithëse ai ka një mendim të kundërt, ai nuk i kundërshton direkt ata, por në fillim i pyet me takt se a nuk duhet menduar pak më thellë mbi tezën të cilën ata donin ta bënin si një ligj të shoqërisë. Dhe, ashtu siç ndodhte me intelektualët e rinj të kohës, të cilët e mbanin veten për reformatorë liberalë laikë të shoqërisë shqiptare, ata nuk kishin asnjë dyshim se ishte pikërisht ashtu siç thoshin ata.
At Zef Valentini i përkiste atij tipi të klerikut katolik që në atë kohë nuk ndeshej fort shpesh në botë. Se, situata kishte bërë që kisha katolike të detyrohej të merrte një pozicion disi të ngurtë në raport me idetë liberale për shkak se e shikonte rrezikun që vinte nga keqpërdorimi i tyre dhe ky rrezik tanimë nuk ishte më një gjë e përfytyruar por një realitet, se në Meksikë dhe në ish-Perandorinë Ruse tanimë kishte vite që revolucionarët ateistë persekutonin kishën katolike, klerikët dhe besimtarët, duke arritur madje deri në vrasje masive të tyre. Në Gjermaninë naziste, prej disa vjetësh kishte ardhur në pushtet një regjim që e fshihte me vështirësi armiqësinë e tij ndaj Kishës Katolike, dhe që kishte dhënë shenja të persekutimit të saj. Në Spanjë dukej qartë se situata po shkonte drejt skenarit meksikan, madje edhe më keq.
Kisha katolike prej disa dekadash kishte adoptuar një politikë të moderuar në raport me rrymat e reja filozofike dhe politike liberale laike, që ishte një risi historike e saj, por tani po e shikonte se sikur ishte tepruar përtej masës me këtë politikë. Fryma dominuese te kisha katolike në atë kohë supozonte që nuk ishte koha për të bërë përpjekje për pajtim me bartësit e ideve si ato që shprehnin bashkëbiseduesit e At Valentinit. Por, At Valentini mendonte se ishte ende e mundur të arsyetohej me njerëz të tillë, dhe të mund të silleshin në një qëndrim më të moderuar. At Valentini e pranon se teza e tyre mund të jetë e drejtë në teori, në raste të caktuara, por e zbatuar në praktikë në Shqipërinë e kohës do të kishte rezultate rrënuese:
“- Nga disa mendime po, por duhet dallue shapi prej sheqerit. A nuk kuptoni se mbas këtij parimi ‘mos të pranojë kurrgja për të vërtetë etj.’ mshehet nji gja tjetër, që synon rrënimin e shpirtit të shqiptarit të rij? Se mund të bajnë kësi hapash të gabueshëm gjymsëkulturarët s’çuditem, por ju me dipllomë universiteti …”
Por, ftesa që u bëri At Valentini për reflektim nuk pati asnjë ndikim te bashkëbiseduesit, të cilët nuk ndryshuan mendim për parimin që mbronin:
“Jo, nuk asht asfare i gabueshëm”.
Ja se çfarë dialogu zhvillohet mes dy palëve, ku At Valentini vazhdon t’u drejtohet atyre njëlloj me durimin e famshëm jezuit, por megjithatë merr të njëjtat përgjigje kryeneçe:
“- Ju lutem, t’arsyetojmë: Unë tham se këjo asht nji gja e pazbatueshme.
Nji grimë respekt për trut e vet”.
Atëherë jezuiti i sprovuar në debate intelektuale ndryshon taktikë dhe kërkon t’i bëjë ata që ta pohojnë vetë se teza e tyre është e gabuar. Gjithmonë duke folur me ton të butë dhe me takt, ai u thotë:
“- Në më dhaçi lejen – me shart qi t’arsyetojmë e mos të shkapërcejmë ndër fjalë idhnimi – unë sot due të ju diftoj se ky parim i jueji asht i pazbatueshëm e ju vetë jeni të detyruem të pranoni, sa e sa gjana për pa i shqyrtue. Më diftoni: shka nuk do të pranojë për të vërtetë për pa e shqyrtue lirisht djaloshi shqiptar”?
Ashtu siç e priste At Valentini mori përgjigjen radikale që e kishin në majë të gjuhës në raste të tilla liberalët, dhe që i bënte të ngjashëm me ekstremistët politikë siç ishin komunistët:
“Kurrgja”.
Bashkëbiseduesit e At Valentinit mendojnë se me këtë përgjigje e kanë kapur mat jezuitin dhe se ai nuk mund ta kundërshtojë dot këtë arsyetim. Në pamje të parë logjika e tyre duket e arsyeshme. Njeriu në shoqëri ka të drejtë të shqyrtojë lirisht çdo gjë që i kërkohet ta pranojë, dhe vetëm pasi atij t’ia vërtetojnë se ajo gjë është ashtu siç i ofrohet, ai duhet ta pranojë. Por, At Valentini e di se këtu është pika e dobët e arsyetimit të tyre dhe godet pikërisht atje. Ja se si vazhdon biseda e tyre, ku At Valentini pyet dhe ata përgjigjen:
“- Me kët kurrgja doni të përshini edhe mathematikën, geometrin, algebrën, trigonometrin?
– Këto janë shqyrtue prej sa e sa profesorësh të tjerë, e s’asht nevoja t’a shqyrtojë rijnija shqiptare.
– Pra, shka asht ditnumi numrash do të pranohet pa shqyrtim, ashtu si na paraqesin profesorët e mathematikës. Mirë fort. Po në kimi? A nuk do të pranojë qinda e qinda formulash qi, ditunija eksperimentale ditë për ditë asht tue zbëlue? A do të shqyrtojë, a por të pranojë pa të tjetër se C6, H10, O5 asht formula e sheqerit? E se bashkimi i H dhe F (Hydrogenit me Fluorin) shkaktojnë eksplozjon vjolent?
– Natyrisht këto janë dituni, qi mund të preken si me thanë me dorë e s’asht e mundun të kundërshtohen, por do të pranohen ashtu si janë.
– Po në fyzikë a do të pranohet elektriku, edhe pse deri më sot nuk i njifet natyra e tij? Shka do t’i shqyrtojë djelmnija shqiptare këtij misteri? Përmenda elektrikun, por ju mund të shtoni sa e sa gjana të tjera qi vetë keni mujtë të konstatoni, se asht i kotë shqyrtimi e i nevojshëm pranimi”.
Kështu, At Valentini pak nga pak po zbulon se teza e bashkëbiseduesve të tij është absurde. Edhe ata vetë e kuptojnë tani se ka diçka që nuk shkon me tezën e tyre, e cila u dukej aq e fortë kur e kishin lexuar në librat filozofike në universitetet perëndimore ku kishin studiuar. At Valentini e përshkruan kështu ndryshimin e qëndrimit të bashkëbiseduesve të tij:
“Mësa jam tue rreshtue nji mbas nji këto arsyetime dy miqt e mij gradë-gradë shkojnë tue u shqetsue, ndezin cingare mbas cingaresh, përdridhen e ndrrojnë pa da kambë mbi kambë”.
E, më në fund njëri prej bashkëbiseduesve të At Valentinit bën një përpjekje për të “kundërsulmuar”:
– Më falni – ia pret njani t’ue m’a këputë fjalën në gojë – ju e keni kapë tepër haptë. Mendimi i ynë s’ishte kështu: na thona për gjana praktike, për gjana qi ditë për ditë i kemi për doresh”.
Bashkëbiseduesi tjetër duke marrë zemër nga ndërhyrja e shokut të tij dhe thotë:
“- Shpirtin kritik duhet t’a zbatojmë në parim të disa teorive qi pengojnë zhvillimin kulturuer, qi skllavërojnë menden njerzore, qi bajnë ndërgjegjen si nji gjendar etj.”
Por, At Valentini edhe këtë përpjekje është në gjendje t’ua kthejë pas si bumerang, duke u thënë:
– Sa për këtu edhe unë jam me ju. Shpirtin kritik e kemi pasë në zbatim dhe përpara se të thojshi ju. Po, po, duhet të çilim sytë e të mos të pranojmë pa i shqyrtue lirisht gjith ato teori dermuese qi ditë për ditë janë tue na i përhapë disa përbindsha, të cilët t’influencuem prej sa rrethanavet, donë t’a shtyjnë dhe popullin shqiptar nëpër lajqizëm të pafre, nëpër ateizëm të mjegullt, nëpër anarkizëm gjaksuer, shoqalizëm përzimtar e bolshevizëm zhbis. Mjaft thyen kokën popujt e tjerë; të na mjaftojë eksperienca e tynë për të na cilë syt, qi mos të vetëmi n’at shkallë, kurse ata qi e thyen kokën janë këthye dalë”.
At Valentini këtu e ka fjalën për doktrinat ekstremiste politike që ishin përhapur shumë në atë kohë, dhe sundonin deri në vende të mëdha. Këto doktrina politike ekstremiste kishin dalë pikërisht nga shtrati i laicizmit, të shndërruar në një ideologji më vete kishin përfunduar në ateizëm. Bashkëbiseduesit e At Valentinit bëjnë sikur nuk e kuptojnë se ku e ka fjalën ai, dhe thonë se idetë e tyre nuk kanë lidhje me ekstremizmat politike që po kundërshtonte ai:
“- Prap jeni larg; s’na keni kuptue. Kokrra rreh në lirin e mendimit e të ndërgjegjes. Shka na lypet gogoli i jetës së ardhshme? Me kufizue arsyetimin, me ndrydhë vështrimin asht nji mëkat i randë! Shpirti i njierit nuk do të përkulet para asnji auktoriteti, kushdo kjoftë, i cili t’i imponojë dogma. Na s’do të kemi kurrfarë detyre ndaj asnji hyjni, posë ndaj vehtjes s’onë. Na vetë do të jemi rregulla, që do të dallojmë të vërtetën prej gabimit, të mirën prej së keqes. Liri mendimi, liri ndërgjegje, larg errsinat”!
Por, At Zef Valentini e dinte se këto fjalë qenë “mielli” me të cilin qe lyer për t’u maskuar “ujku” i përrallës, në mënyrë që të gënjente kecat. Më në fund ai ia arriti që bashkëbiseduesit e tij ta pohonin se ku synonin kur flisnin për shpirtin kritik. Ata donin që ta bënin njeriun të mohonte Zotin, fenë, duke e bërë pastaj pre të lehtë të ideologjive ekstremiste ateiste, si të majta ashtu dhe të djathta. At Valentini u thotë me pasionin e polemistit:
“- Aty më rrini! Tash kuptoj ku doni me vra me kët shpirt kritik. Në besim, as? A ju thaçë qysh në fillim, se mbas këtij parimi mshehet nji gja qi synon rrenimin e shpirtit të shqiptarit?
Pse s’flitni çiltas por mshehi nën maskën e gjoja (kinse) të shkencës. Hiqni maskat! T’u njofim me kohë, shka jeni e shka synoni”!
At Valentini këtu i jep lexuesit të kuptojë se dy të njohurit e tij ishin simpatizantë komunistë që maskoheshin si liberalë. Natyrisht se At Valentini nuk mund të thoshte shqeto se dy bashkëbiseduesit e tij e zbuluan veten të ishin komunistë, se kjo do të thoshte që ai të dilte sikur po i denonconte publikisht këta njerëz në polici. Qëllimi i At Valentinit nuk ishte që bashkëbiseduesit e tij të ndëshkoheshin por që të ndryshonin mendje, duke i braktisur idetë e tyre të gabuara. Prandaj At Valentini u flet atyre me të butë duke u përpjekur t’i bëjë të kuptojnë se gjërat për të cilat ata flasin janë shumë më të thella se sa duken dhe nuk mund të merren aq lehtë:
“Kush jemi na, qi ta sulmojmë ma të madhin e ma të moçmin institut, qi tash gadi dy mij vjet gjindet mbi sypërfaqe të dheut? A keni studjue ndopak at gja, qi doni ta sulmoni? A e dini se prej këtij institute kan dalë, s’po tham volume, por biblioteka volumesh qi përshijnë letërsin ma të madhen të botës? E kryeveprat e arteve të bukura a e dini ku e kan burimin? E ju doni t’ia leni shqyrtimit të lir të një rijnije shqiptare, qi sot asht tue i ba hapat e parë e tue ia çilë syt ditunis!
Për të shkelë në kto drrasa lypet, o nji mende tepër e cektë, o nji shpirt djalluer. A e keni menden ndoshta të na çoni në paganizëm? Sikur filluen si mjet do shtete”?
Është me vlerë të madhe për çdo intelektual që të studiohet mënyra se si polemizon At Valentini. Në paragrafin e mësipërm ai në fillim duket se kalon në sulm kur u kërkon bashkëbiseduesve të tij që ta shpallin me sinqeritet bindjen e tyre ateiste dhe pastaj kur duket se do ta shfrytëzojë pozitën e favorshme që arriti në bisedë, duke vazhduar sulmin, ai tregon vlerat e tij si klerik, dhe ndërpret sulmin duke i ftuar përsëri që të reflektojnë. Pasi mendon se i ka bërë bashkëbiseduesit e tij të reflektojnë mbi tezën e tyre në përgjithësi, At Valentini i rikthehet përsëri idesë së tyre fillestare, që ka të bëjë me kritikën, duke dashur t’u provojë se ata nuk kanë një kuptim të qartë të koncepteve që përdorin. Ja se si bëhet biseda e tyre në vazhdim:
“- A u pyes nji fjalë? Shka asht kritika?
– Kritika asht nji pjesë e logjikës, e cilla mëson me shqyrtue a me shoshitë të vërtetat qi na paraqiten.
– U lumtë goja! S’e lot topi! Kujtoj se me bisedën e derikëtushme ua provova se parimi “mos të pranojë kurrgja”, asht i pazbatueshëm. Shumë gjana pra do pranohen, ashtu si na paraqiten prej pamundsis së shqyrtimit. Tashti: nëpër çë rrugë mund i njofim të vërtetat qi na paraqiten?
– Nëpër dituni.
– Shtoni edhe rrugën tjetër: ‘nëpër dishmi’, e at-botë kemi besimin. S’flas për besimin hyjnuer, kufizohem vetëm në besim njerëzuer”.
Me durim të madh At Valentini po kërkonte t’u shpjegonte bashkëbiseduesve të tij disa koncepte bazë, por ai kishte ndeshur në njerëz që nuk duronin gjatë kur dikush u vinte në dyshim idetë e tyre, të cilat ata i quanin të padiskutueshme. Prandaj biseda pati një fund brutal. Bashkëbiseduesit nuk e lejuan At Valentinin të fliste më gjatë dhe e ndërprenë bisedën harbutërisht:
“Në kët ças nji za ‘Praj e dr… i marrë se na shurdhove!’ e nji shkrepje grushti i papritun mbi tavolinë më lanë pa frymë… U kan këcye gogët miqve të mij. Pa vedin të lidhun, me hapa të shpejtë e pa më përshëndetë largohen. Mbeta vetëm”.
Këtu të bën përshtypje se At Valentini edhe pse me të u sollën kaq harbutërisht, përsëri vazhdon i quan miq bashkëbiseduesit e tij. Është ky një shembull i tolerancës kristiane, i zbatimit të porosisë kristiane për ta dashur tjetrin. Ajo që i ndodhi At Valentinit në këtë rast është një situatë shumë e njohur edhe për shqiptarët e kohës sonë, se skena të tilla i shohim për fat të keq edhe në debatet në studiot televizive, edhe në parlament, ku njerëz që e mbajnë veten si intelektualë shahen e fyhen mes tyre. Fyerja nuk është argument. Ai që fyen në një debat intelektual tregon se nuk ka argumente dhe e quan të humbur debatin. Edhe bashkëbiseduesit e At Zef Valentinit me dhunën e tyre verbale vetëm sa pranuan humbjen e tyre në debat. At Valentini duket se e kishte parashikuar se si do të përfundonte biseda me ta. Një njeri tjetër do të përpiqej që ta harronte këtë incident, por At Valentini nuk ishte një njeri i tillë. Ai e përdori këtë bisedë për t’u dhënë një leksion me shkrim shqiptarëve se si duhej bërë një debat intelektual.
Këto thënie të At Valentinit, së bashku me fjalët e tij të mëposhtme duhet të futen si tekst që duhet mësuar përmendësh nga maturantët e shkollave të mesme, që atyre t’u ngulitet një etikë e komunikimit, nga mungesa e së cilës vuan aq shumë shoqëria jonë. Në një shoqëri si e jona ku sekush mendon se ka të drejtë të shajë e të fyejë, duke besuar se kjo është kritikë, do të vlente shumë që në studiot televizive dhe në sallën e seancave plenare të parlamentit të shkruhej në mur ky citat nga
At Valentini ku ai bën postulatin e kritikës:
“Qi kritika të dalë e pa gjymtime lypet të jet:
- e saktë, due të tham e zhdeshun nga çdo paragjykim e interesë, kështu qi mos të ndërrohen, as mos të shtohen faktet, mos të shtrembnohen vështrimet me qëllim, qi me xjerrë përfundime t’idenave të veta.
- e plotsueme, qi të përmbledhë nji numër sa më të madh faktesh, për të shinue imtsisht gjithshka e me hi thellë në natyrë të çashtjes.
- e dallueme, ase e shkoklueme në të gjitha rrethanat, tue dallue shka asht thelbi e shka asht duka.
Tashti, tue përmbledhë përfundimin e këtij studimi, thom: Kush do me u shpërvjelë për të hi me kritikue nji gja, do t’hiedhi nji shikim vetvedit, a i ka ato cilsit qi u rreshtuen, e t’endun e punim të kritikës do të përpiqet qi të spikasë në të gjitha pikpamjet paanshmnija”.
Kur isha duke i lexuar këto fjalë po mendoja se a nuk do të ishte e nevojshme që çdo politikan, çdo deputet, çdo gazetar në Shqipëri të detyrohej me ligj që t’i mësonte përmendësh fjalët e mësipërme dhe t’i përsëriste ato në trajtën e një betimi që bëhet në mënyrë solemne një herë në vit, se do të vepronte kështu kur të kritikonte? Nuk është se këta njerëz do të detyroheshin nga ky betim që të silleshin në mënyrë konstruktive, se ky do të ishte vetëm një formalitet, por ndoshta mund të ishte një fillim. Në fund të shkrimit të tij, At Valentini i bën një himn kritikës, duke e quajtur atë si mjetin për ndriçimin e mendjes së njeriut, jo për dëmtimin e tij:
“Kritika asht nji kandil; e sikur kandili vyen për të dallue sendet qi nuk shifen, ashtu kritika do të përdoret për të shndritë ato, qi janë në terr. Kritika duhet të jetë nji nzitje, e jo kurr nji kamxhik. Nga kritikat e drejta përfito; të padrejtat e ato, qi dalin nga pasionet përbuzi”.
Këto fjalë të At Valentinit janë aktuale edhe sot në Shqipëri, 85 vjet pasi ato janë shkruar. Asnjë nga ata që sot në Shqipëri mbahen si mendimtarë të formuar, si filozofë, politiologë etj., nuk ka arritur që t’i japë mendimit shqiptar një kontribut të tillë për rregullat e debatit publik siç ka bërë At Valentini në këtë artikull. Kur u ul ta shkruante artikullin e mësipërm ai me siguri që kishte bindjen se shoqëria shqiptare do të vuante gjatë nga mungesa e tolerancës në shkëmbimin e ideve dhe se do të duhej shumë kohë që madje edhe intelektualët të mësoheshin të shkëmbenin idetë në paqe dhe në mënyrë konstruktive. Parakushti që të arrihej kjo gjë ishte që të shkruheshin në fillim rregullat e lojës, me të cilat brezat e ardhshëm do të mësoheshin pak nga pak. Vetëm pastaj mund të shpresohej që shpirti kritik të shërbente për të zbuluar se cilët qenë problemet e vërteta në shoqërinë shqiptare dhe si mund të zgjidheshin ato. Se ishte e lehtë që të vihej në shënjestër feja, klerikët, dhe të shpallej se duhej të çlirohej shoqëria prej kësaj “force” regresive. Por kjo gjë nuk mund të kishte rezultate konstruktive, siç e tregoi koha. Ata që pretenduan se e dëbuan Zotin nga shoqëria shqiptare, si askush në botë, duke e shpallur Shqipërinë vend ateist, e zëvendësuan atë me kultin e udhëheqësit të tyre politik që nuk pranonte asnjë kritikë. Këtu çonte teza e bashkëbiseduesve të At Valentinit, dhe ky i fundit e parashikoi saktë këtë gjë, në fjalët që tha në bisedën e mësipërme, siç e kam cituar më lart kur u thotë bashkëbiseduesve se mos ndoshta duan ata që edhe Shqipëria të bëhej si Bashkimi Sovjetik.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
Parashqevi Qiriazi, Kongresi i Manastirit dhe “Himni i Alfabetit” me burim nga Kolegji Yale
Viti 1968: Demonstratat, për ndryshim...
Thënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj