Biseda që shmangu një përçarje mes trajnerit dhe kapitenit te Real Madridi

Kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, është shfaqur i zhgënjyer në javët e fundit, pasi ka mbetur vazhdimisht në stol.
Situata duket se arriti kulmin të dielën mbrëma në “Mestalla”, kur ai pa David Jimenez të niste si titullar ndaj Valencias, ndërsa më vonë në fushë u aktivizua Trent Alexander-Arnold në vend të tij.
Megjithatë, sipas raportimeve nga Spanja, tensionet mes mbrojtësit me përvojë dhe trajnerit Alvaro Arbeloa janë ulur pas një bisede sqaruese në qendrën stërvitore të Valdebebas.
Carvajal u pa duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trajnerit të përgatitjes fizike Antonio Pintus pas ndeshjes së fundit, frustrim që është grumbulluar pas pesë sfidave radhazi në stol.

34-vjeçari ka luajtur vetëm 27 minuta që nga rikthimi nga dëmtimi, ndërkohë që “Los Blancos” kanë zhvilluar 10 takime gjatë kësaj periudhe.
Sipas burimeve pranë klubit, Carvajal ka qenë i habitur nga zgjedhjet e trajnerit, duke e konsideruar veten të gatshëm për të kontribuar, qoftë edhe në minutat e fundit të ndeshjes.
Në veçanti, ai nuk e ka kuptuar vendimin për të aktivizuar Alexander-Arnold, i cili është rikthyer më vonë dhe pas një dëmtimi më serioz.
Sipas Marca, Carvajal dhe Arbeloa kanë zhvilluar një bisedë të martën në mëngjes gjatë stërvitjes në Valdebebas, në një atmosferë të qetë dhe pa tensione.

Edhe Diario AS raporton se palët e konsiderojnë çështjen të mbyllur dhe e shohin komunikimin si pozitiv.
Tashmë vëmendja zhvendoset te sfida e fundjavës, ku Real Madridi pret Real Sociedadin në “Santiago Bernabeu”.
Zgjedhjet e Arbeloas për formacionin do të jenë në fokus, pasi situata në krahun e djathtë të mbrojtjes mbetet e hapur.
David Jimenez konsiderohet opsioni i tretë në hierarki, ndërsa si Alexander-Arnold ashtu edhe Carvajal nuk kanë qenë titullarë prej tre muajsh. /Telegrafi/





















































