LAJMI I FUNDIT:

Big Mama: Jam ende e virgjër

Big Mama: Jam ende e virgjër

Babai i saj është drejtues i një qendre shëndetësore. Një nga vëllezërit merret me politikë ndërsa vetë Bigu ka mbaruar vitin e dytë të fakultetit për shkenca politike. Këngëtarja dëshiron që në të ardhmen të hapë një parti politike në Tetovë ku të jetë vetë kryetare, një qëllim në vetvete që do t’i mposhtë të gjithë politikanët jo vetëm në bazë të forcës që zotëron por dhe në bazë të famës që ka. Do quhet Partia Big Mama. Brenda të qënurit vetvetja këngëtarja shqiptare e Maqedonisë ka një konglomerat surprizash që do t’i zbulojë një nga një në këtë intervistë të sinqertë për suplementin “Unë gruaja”....

Cila është arsyeja që pushimet e verës të kanë gjetur në Shqipëri, vetëm plazhi apo dhe diçka tjetër?
-Normalisht që arsyeja fillestare është puna. Plazhin e shfrytëzoj në varësi të punës, duke qenë se bëj një rrugë e dy punë. Kam pasur shumë koncerte këtu në Shqipëri.

Në çfarë plazhi je duke pushuar?

-Kam qenë në Velipojë, në Shkodër, në Vlorë dhe për momentin jam me disa miq të mi në Golem, duke pushuar në plazhin “Bonita”.


Gjatë kësaj kohe cila ka qenë axhenda jote?

-Gjatë këtyre dy muajve kam pasur një pauzë nga ekrani për shkaqe të miat personale. Jam duke u përgatitur për një ndryshim shumë ekskluziv, në mënyrë që të dal në shtator me një dukje të re të Bigut. E ndieja të nevojshme një pauzë të tillë në mënyrë që publikut kur të dal, t’i dukem një surprizë.

Kush është konsulenti që të ndjek në karrierën tënde?
-Unë në fakt në Shqipëri kam si këshilltare Dorianën, ndërkohë që kam dhe babanë.

Le të kthehemi në retrospektivën e jetës tënde. Si ka qenë jeta jote, marrëdhënia që ke pasur me babain, nënën dhe familjen…
-Tani jam më e çmendur se më parë. Duke u rritë e duke u çmendur më shumë (qesh). Dikur kam qenë një fëmijë shumë pozitiv, e shoqëruar, që bënte shumë për të tjerët. Jam rritur në një familje prej 7 anëtarësh. Jemi shumë të bashkuar me njëri tjetrin. Para një muaji kam humbur xhaxhain dhe ka qenë diçka e tmerrshme për mua. Familja më ka mbështetur shumë. Dy vëllezërit e mi të mëdhenj më kanë dhënë përkrahjen më të madhe morale ndaj ia di për nder shumë familjes sime që më ka dhënë kurajon dhe mbështetjen për tu bërë kjo këngëtare që jam. Nuk është e lehtë për një femër t’i futet kësaj rruge. Por më kanë përkrahur shumë dhe jam munduar ta ruaj besimin e tyre. Unë jam fëmija e fundit dhe jam më e lazdruara. Unë kam qenë si tip djali, por morali im ka qenë femër.

Kur ke nisur të tregosh talentin tënd si këngëtare?

-Që e vogël. Më ka zbuluar gjyshja ime e cila që kur unë isha e vogël 9 muajsh në një udhëtim për në Kosovë kam nisë të këndoj me la la la. Gjithë furgoni ka nisë t’u qeshë dhe ndërsa gjithë udhëtarët kanë duartrokitë gjyshja ka thënë se do bëhesha këngëtare. Duke u rritë duke u zmadhuar dëshira dhe ëndrra për t’u bërë këngëtare. Unë gjithnjë kam lozë si me qenë këngëtare, duke bërë programet e mia me shoqet. Të gjithë kanë lozur bashkë me mua.

Gjyshen e ke pasur shumë të afërt?

-E kam pasur model. Dhe më pas babai im i cili më ka përkrahur në të gjitha hapat e mi. Kam kënduar në ansambël, në korret e shkollës, në festivalet e fëmijëve. Kam marrë gjithnjë çmime. Më pas u futa në shkollën e muzikës, dhe kështu vazhdova.

Kemi vënë re se je një këngëtare që nuk synon komercialitetin por këndon me shumë maturi. Është synimi yt ky?
-Unë për veten time kam preferuar të këndoj R&B ose Hip-Pop duke u munduar të jem dhe ajo që do populli. Unë e kombinoj këtë lloj muzike me atë komerciale alla Big Mama. Duhet patjetër të bësh këtë zgedhje për të mbijetuar në muzikë. Unë mundohem të mbaj imazhin tim.

Pse quhesh Big Mama?

-Emri im është Besiana, por një shoku im më quante kështu. Ai faktikisht nuk është më në jetë. Kam qenë gjithnjë një fëmijë i shëndoshë dhe duke qenë se me atë jam rritë, ai më thërriste me këtë emër. Kur ai ndërroi jetë ishte tragjedi e madhe për mua, ndaj vendosa që për kujtim të tij të ruaj këtë emër. Sa herë më thërrasin kështu kujtoj mikun më të madh të zemrës sime.

A mendon se emri, mënyra e interpretimit por dhe lloji i muzikës janë armët e suksesit tënd?

-Mendoj se arma më e mirë e suksesit tim është karakteri, kontakti me personat e ndryshëm. Futja me në muzikë ka qenë si një lloto për kompozitorët dhe tekstshkruesit. Ato thoshin se nuk më ha pazari. Shumica e kompozitorëve më kanë mbyllë derën duke më thënë se me këtë zanat unë nuk do haja dot bukë.

Nuk je prapsur nga këto refuzime?

-Mua më kanë ofenduar shumë kur kam qenë 14 vjeçe. Më kanë përplasë dyert në fytyrë. Si fëmijë kam qenë e mërzitur kam kaluar deprivimet e mia. Por falë zotit kam qenë njeri i fortë . I kam tregu se në muzikë nuk mund të kesh sukses vetëm duke qenë një femër e bukur dhe seksi.

Kjo tani besoj se ju bën më të lumtur që i ke sfiduar?
-Tani ndjehem shumë e lumtur kur ato më shohin në televizor si këngëtare.

Ti nuk ke luajtur me pamjen por me aftësinë…

-Unë jam shumë e kënaqur që me këtë peshën, trupin dhe paraqitjen time kam fituar zemrën e gjithë popullit. Që ato më pranuan dhe më deshën kështu siç jam. Nuk më deshën seksi, të përdredhur dhe që tregoj gjoksin
tim.

Kjo do të thotë se jeni kundër sensualitetit të këngëtareve?
-Jo absolutisht. Nuk jam kundër. Ato që janë zonja le ta përdorin. Atyre që u ka hije, pse jo. Por atyre që si ka hije nuk duhet ta përdorin.

Gjithë këtë personalitet tëndin e ke të trashëguar nga familja?
-Po. E kam të trashëguar nga babi im. Unë jam fotokopja e tij. Unë kam ecur gjithnjë në hapat e tim eti. Dhe ai është artdashës, është njeri me shumë kulturë. Ai më ka çuar vetë në këtë rrugë.

Vajzat janë më të lidhura me baballarët. E vërtetë dhe për ju?

-Gjithnjë kam qenë e lidhur me babain dhe pse nënën e kam si shpirt.

Jeni duke mbajtur një dietë. Pse?

-Sepse kohët e fundit të gjithë janë duke u marrë me peshën time. Aktualisht është bërë një çështje e ditës. Tani kam vendosur shumë seriozisht të mbaj dietë për t’i treguar të gjithëve se unë mund të dobësohem , por nuk du vetë. Po dobësohem vetëm për t’i mbyllur gojën gazetarëve.

Gjithsesi ti ke thyer tabu me mbipeshën tënde. A mendon se njerëzit janë mësuar me këtë formë tënden?
-Ndaj po e ruaj surprizë dhe nuk do dalë deri në muajin shtator, kur të dalë me një pamje tjetër. Do dal me vidoklip ë ri. Do dalë e njëjta Big Mama, ngjyra ngjyra duke i treguar të gjithëve se mund të dobësohem, por më pas përsëri do të trashem (shëndoshem)…

Çfarë regjimi po përdor?

-Deri më parë kam bërë dy herë regjim dhe më pas dy muaj kam ngrënë sa për dhjetë vetë. Rezultate kam pasë por më pas e kam marrë përsëri peshën.

Dietën e fundit kur e ke nisur?

-E kam nisur që në muajin qershor. Dhe deri më tani kam hequr 12 kile.

Si ia ke bërë me veshjet?

-Tani më rrinë më mirë. Kam blerë dhe gjëra të reja. Më duket më e lehtë për të gjetur tesha.

Ku e ke synimin?

-Dua të heq dhe dymbëdhjetë kile të tjera. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është ta vendosësh në tru që do mbash dietë. I kam vënë qëllim vetes dhe do ia arrij qëllimit me çdo kusht.

Çfarë ndodhi këtë radhë?
-Ndodhi ajo që më plasët ju gazetarët! (qesh)

Ju pamjen e keni, inteligjencën po, peshën gjithashtu.

Mendoni se një pamje më e bukur do ndikojë një rradhë të gjatë në listën e adhuruesve tuaj?
-Nuk kam dëshirë ta lidh pamjen me të dashurin tim.

Ka një dashuri në jetën tënde?

-Është dikush. Një njeri që nuk merret me art. Ajo që më bën përshtypje tek ai është personaliteti i tij. Jemi njerëz shumë të ngjashëm.

Këtë radhë dobësimi yt është një risi?

-Është e vërtetë. Unë gjithnjë në videoklipet e mia kam dalë me një risi. Dhe këtë radhë me një pamje të re.

Përveçse dietës psikologjike çfarë po mban tjetër?

-Sigurisht dhe një dietë rigoroze ushqimore. Tani ha mish dhe sallatra dhe bëj fitness. Kam dy muaj që i kam ndaluar rreptësisht ëmbëlsirat.

Dietën do e mbash deri në shtator?

-Po deri atëherë.

Si kanë reaguar të tjerët ndaj ndryshimit tënd?

-Janë të gjithë të lumtur. Të gjithë janë të kënaqur dhe më inkurajojnë për të vazhduar.

Mendoni se me vullnet mund të dobësohesh?

-Sigurisht që po. Kush e vendos patjetër që ka rezultat. Por duhet të mbash një regjim shumë të fortë. E rëndësishme është ta vendosësh në trurin tënd. Në momentin që i vë vetes këtë qëllim patjetër që e mban.

E ndieni veten një vajzë me fat?

-Sigurisht. Kam lindur në një familje shumë të mirë.

Kam miq shumë të mirë, njerëz që më përqafojnë dhe që më bëjnë komplimente. Kur shoh që njerëzit më duan dhe më thonë fjalë të mira vetëm më shtohet ymri.

E keni dëshirë protagonizmin?

-Vdes. Unë kam qejf shumë të dallohem. Në shkollë të gjithë gocat visheshin me të zi unë do vishesha me rozë e dreq për tu dalluar një kilometër larg. Nëse të gjitha femrat kanë dalë me flokë kaçurrela mua më ka pëlqyer të dal më flokët përpjetë. Kam bërë gjithnjë të kundërtën.

Duke bërë jetë nate je gjumashe?

-Po fle gjithë ditën. Më ndodh ndonjëherë të zgjohem me pizhama të ngrihem të ha bukë dhe më pas të shtrihem dhe të fle prapë.

Kur je dashuruar për herë të parë?

-Sa herë që kam rënë në dashuri kam menduar se këtë radhë kam rënë me të vërtet.

Gjithsesi ka “një prima volta”?

-Gjithnjë më është dukur për herë të parë. Kur kam qenë 17 vjeç. Dashuri platonike…më është dukur se jam dashuru. Më pas kur kam parë dikë tjetër kam thënë me vete se s’ka qenë gjë ajo tjetra. Sa herë që kam rënë në dashuri kam thënë: “Si këtë herë nuk më ka ndodhur kurrë!” Fort, nuk besoj në dashuri.

Si është procesi i të rënit në dashuri për ty?

-Për mua mbi të gjitha ka dashuri njerëzore. Kam më shumë besim në dashuri shoqërore se ajo tjetra. Nëse ke pasur 4 lidhje në jetë dhe thua se e dyta ka qenë dashuria më e madhe, këtë gjë unë nuk e besoj aspak.

A ndikon dashuria në punën tënde?

-Unë dashurinë e shoh si pjesë të jetës sime. Kam mendim ndryshe nga të tjerët për dashurinë. Unë personin që du e kam gjetë por me të akoma nuk jam në lidhje. E kam taku një person siç e kërkoj unë por nuk jam në lidhje. Kjo do të thotë se unë jam nga ato femra që fillimisht vlerësoj tek mashkulli virtytet dhe cilësitë e tij dhe më pas kur të vendos unë që ai do jetë përgjithmonë, do i dhuroj diçka shumë të çmuar, virgjërinë time. Sepse atë do ta kem shok të ngushtë, baba, vëlla, shoqe.

Djemtë e bukur nuk të pëlqejnë?

-Si s’më pëlqejnë të bukurit. Krejt i du. Po kur flasim për jetën tamam është ndryshe. Nëse unë rri me një person por me atë nuk vendos të kaloj jetën, asaj unë nuk i them dashuri. Mendoj se jeta është e gjatë, do krijosh familje. Jeta është e vështirë dhe duhen shumë aspekte për të bërë dikë që të jetë njeriu i zgjedhur nga unë.

Si e mendon perspektivën tënde, të sigurt apo ende flu?
-Dëshira ime është të krijoj familje dhe të kem shumë fëmijë. Por e tanishmja është ende flu.

Sa vjeçe je?
-Jam 22 vjeçe.

Flirte ke pasur?

-Si jo. Si çdo vajzë e re. Prej flirteve kam mësuar se nuk ka dashuri.

Të ka ndodhur të mërzitesh pas një zhgënjimi qoftë dhe nga lidhjet okazionale?
-Unë nuk e kam pasur një lidhje shumë të thellë.

A je tip që mund ta lësh dikë?

-Mund ta lë.

Të ka ndodhur ndonjëherë të refuzohesh?

-Atë që kam dashtë e kam ba gjithnjë për vete.

Mes shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë kë do përzgjidhje?
-Jemi krejt shqiptarë dhe të gjithë janë me mentalitet ndryshe. T’gjithë janë të mirë…

Cili nga ata të përshtatet?

-Mua krejt më përshtaten. Sepse unë jam shumë e përshtatshme.

Me Evis Pupën ke pasur shumë lidhje këtë vitin e fundit…
-Me Evisin kom dashni shumë të madhe. Visin e kom tamam dashuri. Në Shqipëri jam zhgënjy prej shumë personave, por njerëz hallall që kam takua janë Doriana, menaxherja ime në Shqipëri, Albana Osmani dhe Evisi. Visi është kapak. Visin e kam shumë shpirt dhe për atë njeri do kisha bërë gjithçka në jetë. Sepse ka shumë zemër të madhe, ka shumë shpirt.

Flet për dashuri. A ta kuptojmë si dashuri dhe me seks brenda apo dashuri të pastër?
-Unë jam njeri që kam shumë dashuri njerëzore. Unë kam konceptin që e ruaj vetëm për vete dhe për njeriun e zemrës. Unë besoj shumë tek Zoti, e respektoj deri në fund moralin e fesë muslimane dhe mbi të gjitha dhuratën që i dhurohet vetëm njeriut të zemrës, virgjëria. Modernizëm nuk është vetëm seksi.

Po thua se je ende e virgjër?

-Po. E di që është çudi në kohët e sotme por siç e thashë besimi tek Zoti më ka ndihmuar të ruaj disa parime…

Në trend

Më shumë
Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Vazhdon numërimi i votave nga diaspora, këto janë rezultatet e deritanishme

Lajme
Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Magazina
Arrestohet zëvendëskryeministri kroat, Josip Dabro

Arrestohet zëvendëskryeministri kroat, Josip Dabro

Kroacia
Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Magazina
Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Boks
Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA?

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA?

Magazina
Kalo në kategori