LAJMI I FUNDIT:

BESA dhe LR-PDSH dënojnë sulmet në Ankara

BESA dhe LR-PDSH dënojnë sulmet në Ankara

Kanë vazhduar reagimet për sulmet në Ankara nga subjektet politike në Maqedoni. Në komunikatat e dërguara drejt Telegrafit Maqedoni nga LR-PDSH dhe BESA e dënojnë çdo sulm që në vete përmban qëllime terrori.

Në komunikatën e Lëvizjes BESA thuhet ”Fakti që në botën tonë akoma jetojnë qenie që kënaqen në viktimizimin e njerëzve të pafajshëm dhe që mjet të luftës së tyre e kanë terrorin dhe mbjelljen e frikës, paraqet shqetësim të përmasave globale dhe, për këtë arsye, gjykojmë se sot gjithë bota e qytetëruar duhet të jenë në anën e Turqisë, e cila tashmë disa herë është në tapet të këtyre sulmeve.
Për BESËN gjuha e terrorit nuk njeh etni e religjion, andaj ne mendojmë se suksesi kundër kësaj të lige globale mund të arrihet vetëm në aleancën e të gjitha forcave progresive të botës.
E ardhmja e botës duhet të jetë paqja, koekzistenca dhe bashkëjetesa.” e përfundon Besa reagimin për ngjarjet në Ankara.


Gjithashtu edhe Lëvizja për Reforma PDSH e dënon aktin ”LR-PDSH dënon ashpër aktet e sulmeve të mbrëmshme terroriste në Ankara, dhe njëherit solidarizohemi me familjarët e viktimave dhe shtetin e Turqisë në këto moment të vështira.

Lufta kundër terrorizmit është aktivitet i gjithë neve për të ndaluar sulme të këtilla që në esencë janë jo-humane. Prandaj, parandalimi i sulmeve të këtilla me bilance tejet negative, do duhet të përbëjë përpjekjet tona të ardhshme.

Të përpiqemi të gjithë që krahas dhimbjes së humbjes së jetëve të njerëzve të pafajshëm të reflektojmë për punën që duhet bërë bashkërisht që të jetojmë në harmoni, paqe dhe solidaritet mes nesh!” thuhet në reagimin e LR-PDSH./Telegrafi/

Gjithashtu lexo: Ali Ahmeti: Turqi, jemi me ju