Shkëndija e Tetovës ka zhvilluar sonte stërvitjen e fundit zyrtare para ndeshjes së kthimit në play-offin e Ligës së Evropës, që do të luhet nesër në Razgrad kundër kampionit bullgar, Ludogorets, njofton Telegrafi.

Trajneri Jeton Beqiri doli para gazetarëve, duke theksuar se ekipi është i përgatitur dhe i motivuar për të dhënë gjithçka në këtë duel vendimtar:


“Në ndeshjen e nesërme do të mundohemi të bëjmë paraqitjen tonë më të mirë, të japim maksimumin dhe të jemi të disiplinuar në aspektin defenziv. Duhet të shfrytëzojmë rastet që do të na paraqiten, sepse dihet që kemi përballë një kundërshtar shumë cilësor, i cili mund të të ndëshkojë në çdo moment nëse nuk je i fokusuar 100%”, u shpreh Beqiri.

Ai shtoi se edhe pse Ludogoretsi është favorit në letër, gjithçka është e mundur në futboll:

“Futbolli është i bukur sepse jo gjithmonë fiton favoriti. Çdo natë shohim ekipe që befasojnë dhe eliminojnë kundërshtarë me buxhete shumë më të mëdha dhe me futbollistë më cilësorë.”

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Beqiri theksoi se ekipi është pothuajse i plotë, me disa lojtarë që kanë probleme të vogla, por janë të gatshëm të japin kontributin e tyre. Mungesa e vetme është sulmuesi Atdhe Mazari, i cili nuk ka të drejtë loje në këtë fazë. /Telegrafi/

telegrafi sport app