Zëdhënësja e presidentit amerikan, Donald Trump, Karoline Leavitt, njoftoi se, mes të tjerash, Belgjika e kishte pranuar ftesën e Shtëpisë së Bardhë për t’iu bashkuar Komitetit për Paqe, por pak më vonë nga Brukseli erdhi një përgënjeshtrim.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot, shkroi në X se ky informacion nuk është i vërtetë.


“Belgjika nuk ka pranuar të nënshkruajë dokumentin themelues të Komitetit për Paqe; ky informacion është i pasaktë”, shkroi Prevot.

Ai shtoi se përgjigjja e Belgjikës do të jetë në përputhje me përgjigjen e përbashkët të vendeve evropiane.

“Ne dëshirojmë një reagim të përbashkët dhe të koordinuar të Evropës. Ashtu si shumë vende të tjera evropiane, kemi disa rezerva ndaj këtij projekti”, tha më tej Prevot.

Ndërkohë, asnjë vend i Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, nuk e ka pranuar ende ftesën për t’iu bashkuar Komitetit për Paqe të Trumpit.

Nga ana tjetër, dy vende të BE-së, Franca dhe Sllovenia, e kanë refuzuar shprehimisht të jenë pjesë e këtij Komiteti për Paqe, të cilin Trump e ka konceptuar si një lloj zëvendësimi për Kombet e Bashkuara.

Përveç Hungarisë, aktualisht në Komitetin për Paqe bëjnë pjesë Bjellorusia, Izraeli, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Azerbajxhani, Armenia, Kosova, Maroku, Pakistani, Indonezia, Uzbekistani, Paraguai, Kazakistani, Bahreini, Jordania dhe Vietnami. /Telegrafi/