LAJMI I FUNDIT:

Bëj o çfarë të duash!

Bëj o çfarë të duash!

Ka dy mënyra për t’u sjellë me qytetarin.

E para është që shërbimet e agjencive publike të përkujdesen për hallet e qytetarëve dhe t’u japin mundësinë atyre të zgjidhin hallet dhe plotësojnë nevojat që kanë.


E dyta, gjoja në emër të një liberalizmi idiot, qytetari lihet si udhëtari që ka humbur rrugën në pyll, shoqëria sheh interesin e vet, qytetarit shërbimet publike i thonë: Bëj o ç’a të duash, pse unë do të merrem me ty?

Duke parë në Selanik për ndonjë parking makine, gjeta se aty nga qendra mijëra metra katrorë ishin parking në mes qytetit, anash bregut të detit, për të mos thënë ndërtesa disakatëshe të destinuara për parkim të mijëra veturave në nivel lagjesh. Plot vende për parking. Këtë kam venë re gjithashtu në Frankfurt, Berlin, Shkup, kurse në Tiranë është më keq se të parkosh në vende turistike me famë botërore si Piza, Firence etj. Sapo e parkon veturën në ndonjë cep ngrehine gjysmë të shkatërruar, pas pesë minutash e ke gjobën te dritarja e makinës.

Ku ta parkoj mo?

Parkoje ku të duash, ç’më duhet mua, të rras gjobën dhe kaq!

Vërtitet makina e gjobave si në lojërat elektronike me djegie kundërshtarësh.

Ta rrasa!

Për të derdhur plehrat çdo mëngjes më duhet që çdo ditë të bëj rrugën me thesin në dorë nja treqind metra së paku për të dalë në rrugë të madhe, te koshat e rrugës Myslym Shyri.

Ku t’i derdh plehrat mo?

Ik o gremisu, hapi sytë, atje i ke koshat, mos do t’i sjellim buzë pallatit?

Kur mendon që në qytete të mëdha jashtë vendit ke kosha në çdo hyrje pallati, lëre në lagjet me shtëpira personale ku çdo portë shtëpie ka koshin e vet!

Bëj o çfarë të duash, përton ti të bësh nja katërqind metra për të hedhur mbeturinat? Se mos ke punë tjetër!

Çfarë mo çfarë, uji nuk është i pijshëm? Nuk ka matje të përmuajshme të komunikuara për gjendjen e ujit banorëve?

Ik o bleje? Nuk ke lekë? Bëj o çfarë të duash pse me ty do të merremi ne?

Bëj o çfarë të duash?

Do të ikësh nga Shqipëria, të lësh nacionalitetin, të emigrosh?

Bëj o çfarë të duash, pse ne do të të interesohemi: Ore çfarë halli ke që ikën?

Ke dyqan buzë rrugës? E o mirë, merr lejen dhe hap biznes. Bëj o çfarë të duash! Po prit ore se këtu në njëqind metra ka 30 floktore, 40 farmaci, 700 fruta – perime! Kush do të shes më parë?

Ik o budalla, akoma komunist mbete! Jemi treg i lirë! Hapet biznesi brenda një minute, online, më pas bëj o ç’a të duash!

Ne do ta rregullojmë këtë?

Çfarë mo? Rruga e hapur të pengon të shkosh në punë!!! Ik o hajvan! Bëj o çfarë të duash, mos do të jap edhe qumësht me biberon?

Nuk e kupton se është ekonomi tregu o derdimen? Jemi shoqëri e lirë, bëj ç’a të duash, unë të rras gjobën, kaq!

Ta rrasa po të them!