Bëhet virale përsëri videoja ku truproja i Ivanka Trump shtyn me forcë një fans në rrugë

Një video e publikuar vitin e kaluar me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, ka nisur sërish të bëhet virale në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje një incident të tensionuar gjatë një eventi në Miami.
Pamjet janë rishpërndarë së fundmi nga faqja Nexta në platformën X (ish-Twitter), e cila ka ngritur pikëpyetje nëse veprimi i truprojës ishte pjesë e protokollit apo një reagim i tepruar.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 3 maj të vitit të kaluar, teksa Ivanka Trump dhe Jared Kushner po largoheshin nga klubi i njohur Carbone Beach në Miami.
Vajza 43-vjeçare e presidentit Donald Trump u pa duke ecur dorë për dore me bashkëshortin e saj, ndërsa shoqëroheshin nga agjentë të Shërbimit Sekret të veshur civil, drejt automjetit të tyre.
Sipas pamjeve, një turmë e vogël ishte mbledhur rreth çiftit, madje disa persona po ecnin shumë pranë tyre në drejtim të SUV-it. Në një moment, një agjent i Shërbimit Sekret vendosi dorën mbi një burrë që po afrohej tepër pranë çiftit. Ky i fundit reagoi duke e kapur agjentin nga supi, çka shkaktoi një reagim të menjëhershëm dhe të fortë nga ana e truprojës, i cili e shtyu burrin prapa. Ky veprim u shoqërua me reagime të dëgjueshme nga turma, ndërsa Ivanka Trump dhe Jared Kushner u kthyen për një çast për të parë çfarë po ndodhte, përpara se të hipnin në makinë.
Shërbimi Sekret ka reaguar lidhur me incidentin përmes një deklarate, duke sqaruar se gjatë një lëvizjeje mbrojtëse, një person i rritur ka hyrë shumë pranë perimetrit të sigurisë. Sipas tyre, një agjent ka ndërhyrë menjëherë për ta larguar fizikisht individin dhe për të rivendosur distancën e nevojshme të sigurisë. Agjencia ka theksuar se është thelbësore që publiku të ruajë distancën nga forcat e rendit dhe personeli mbrojtës, në mënyrë që të garantohet siguria e të gjithëve, sipas People.
Ivanka Trump nuk ka reaguar drejtpërdrejt për incidentin në rrjetet e saj sociale. Megjithatë, ajo ka publikuar disa fotografi nga fundjava në Miami, ku shfaqet duke kaluar kohë me bashkëshortin dhe duke ndjekur Çmimin e Madh të Formula 1 në Miami. “City Lights x Racing Stripes this F1 weekend in Miami”, ka shkruar ajo krahas imazheve.
Po ashtu, Ivanka ka ndarë edhe një fotografi të dy djemve të saj, Joseph dhe Theodore, të veshur me bluza të kuqe të ekipit Ferrari, duke treguar se familja ka shijuar nga afër atmosferën e garave të Formula 1. /Telegrafi/





























































