Befasitë shqiptare: Përmetari që ka takuar Diderotin, d’Alembertin, Freretin...

Nga: François-Charles-Hugues-Laurent Pouqueville (Nga: Voyage de la Grèce par F.-C.-H.-L. Pouqueville, Deuxième édition revue, corrigée et augmentée, Tom. 1, Librairie Firmin Didot Père et Fils, Paris, 1826)
Përktheu: Aurel PlasariKë ka takuar konsulli François Pouqueville, në Përmet në fillim të shek. XIX?
"Më në fund, gjysmë lege prej lumit që zbret nga Leusa, hymë në Përmet ku udhërrëfyesit e mi kishin dhënë porosi të gatitej një banesë te koxhabashi.
Po gëzohesha që gjendesha mes njerëzve, kur u shfaq një plak i nderuar që më përshëndeti në frëngjishte dhe me maniera aq të përkujdesura sa për një grimë mbeta pa i kthyer dot përgjigje. Meqë ishte shurdh nxori e vuri në vesh një kornet akustik me anë të të cilit munda të hyja në kuvendim me të. Me tregoi për udhëtimet e tij në Francë dhe për qëndrimin e tij në Paris. Kishte frekuentuar kafenenë ‘Prokop’, ku kishte njohur Diderot-in, d’Alembert-in, Freret-in dhe burrat e letrave të shekullit të kaluar. Citonte vargjet e Racine-t, të Corneille-it, të Voltaire-it dhe, pa u shtirë aspak sikur qe njeri i shkencës, më dëshmoi se e njihte fort mirë letërsinë tonë. Kur më foli për Versajën dhe për mbretin e Francës nuk e mbajti dot mallëngjimin. Dhe kur shpreha habinë që ai, si kishte njohur Francën, kishte dashur të ngulitej në një vend barbar, m’u gjegj:
‘Përmeti është vendlindja ime dhe njeriu i urtë e i kujdesshëm mund të jetë i lumtur kudo, ja ku jam vetë një shembull i pakundërshtueshëm. Kam parë qytetërimin më të shkëlqyer, kam jetuar te populli më i mirësjellshëm në botë, dhe megjithëkëtë desha e ktheva në atdheun tim’."




















































