Bebe Rexha publikon fotografi të rrallë nga fëmijëria dhe një video duke kërcyer me këngë shqip në Los Angeles

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, po përgatitet që më 28 prill të publikojë albumin e saj më të ri, ‘Bebe’.
Ndërkohë, ajo po vazhdon të jetë aktive dhe shumë e ndjekur në rrjetet sociale, duke publikuar fotografi dhe video të ndryshme nga jeta e përditshme apo aktivitetet muzikore.
Së fundmi, interpretuesja e hitit “I”m Good (Blue)” publikoi për 10.7 milionë ndjekësit disa fotografi të ndryshme nga një fundjavë e kaluar me familjarë dhe miq në shtëpinë e saj në Los Angeles.

Mes tyre në sy bie një video, ku Rexha shihet teksa vallëzon me kunatën e saj, Dorinën, nën ritmet e këngës shqipe “Zemër” të Dhurata Dorës.
Në setin e fotografive që 33-vjeçarja ndau me ndjekësit në Instagram, bën pjesë edhe një fotografi e rrallë e saj e realizuar nga fëmijëria, ku shihet krahas prindërve: Flamur e Bukurije Rexha.

Familja e saj kanë prejardhje nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, por Bebe Rexha ka lindur dhe është rritur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi prindërit e saj shqiptarë ishin emigrantë atje.
Artistja nuk ka hezituar asnjëherë që me krenari ta theksojë prejardhjen e saj shqiptare, teksa ka vizituar për herë të fundit Shqipërinë para tri viteve, kur ndodhi tërmeti famëkeq. /Telegrafi/





























































