Tri vite më parë, saktësisht në muajin qershor, njëri prej kandidatëve më seriozë për deputet të PDK-së për qytetin e Rahovecit kishte qenë Elvis Pista. Ende pa marrë fund i gjithë procesi zgjedhor, në rrethana misterioze, ai u vra duke dalë nga një restorant, natën vonë.
Pothuajse në përvjetorin e asaj ngjarjeje, tri vjet më vonë, garën për t’u bërë deputete e ka vazhduar motra e Elvisit, Beatrisa, gjithashtu nën shenjën e partisë së njëjtë.
Beatrisa vendosi të ndjekë rrugën e vëllait të ndjerë, duke u bërë pjesë e politikës. Elvisi ishte menaxher, biznesmen dhe politikan. Vrasja e tij mund të lidhej me çfarëdo gjëje, edhe me fushat ku ai vepronte. Ishte pikërisht politika, për çfarë ai po përmendej më shumë, sepse në qershorin e 2014-ës kur ai u vra, më datën 8 ishin mbajtur zgjedhjet ku Pista ishte kandidat i PDK-së.
Kandidatja e PDK-së për deputetë thotë se vendosi të garojë në zgjedhjet parlamentare sepse Rahoveci, vendi nga ajo vjen, nuk ka përfaqësim në nivel qendror.
Përveç kësaj, arsye tjetër, e fortë e Beatrisës për të qenë pjesë e Kuvendit është edhe vrasja e vëllait të saj.
“Këtë e shoh si një mundësi më serioze për të ringritur çështjen e vrasjes së vëllait tim, i vrarë në mënyrë qyqare dhe shumë misterioze një javë pas zgjedhjeve të kaluara”, tha ajo për Gazetën Express.
“Ai e ka vendin e vet, është i pazëvendësueshëm. Unë jam në politikë po ashtu që një kohë të gjatë dhe kam krijuar personalitetin tim në këtë sferë, duke qenë tri mandate radhazi asambliste. Kam rrugëtimin tim sa do i vështirë që është, nga se nuk do të arrij asnjëherë që të zëvendësoj vëllanë tim!”
Pista, në zgjedhjet e 2014-s kishte marrë mbi pesë mijë vota, duke qenë kështu kandidati më i votuar i qytetit të Rahovecit nga PDK-ja. Beatrisa thotë se pret përkrahje nga qyteti i saj, por këtë ta marrë për atë që ajo dëshiron të përfaqësojë.
Beatrisa, për vrasjen e vëllait të saj tregon se i beson institucioneve të vendit, në drejtësinë e tij dhe pikërisht nga këto institucione pret edhe zbardhjen e kësaj vrasjeje.
Motra e Elvis Pistës shpjegon se ka qenë gjithmonë pjesë e PDK-së edhe para se vëllai i saj të vritet dhe se kandidatura e saj në këto zgjedhje nga radhët e Partisë Demokratike nuk ka për shkak aktivitetin e vëllait të saj, apo vrasjen e tij.
“Për tri mandate kam qenë asambliste në kuvendin komunal të Rahovecit”, tregon motra e Elvis Pistës, e cila është pjesë e listës së koalicionit PDK-AAK-Nisma për deputete.