Sulmuesi Nicolas Jackson nuk do të qëndrojë te Bayern Munich sezonin e ardhshëm, me disa klube që po monitorojnë situatën e sulmuesit senegalez, sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano.

Romano ka bërë të ditur se lojtari do të rikthehet te Chelsea në verë, pasi bavarezët nuk do të aktivizojnë marrëveshjen për blerje.


“Në verë, Jackson do të rikthehet te Chelsea; ai nuk do të qëndrojë te Bayern. Prandaj mbajeni në vëmendje këtë situatë, sepse ai gjithmonë ka qenë shumë i vlerësuar në Itali. Është një lojtar që është pëlqyer vazhdimisht nga klubet italiane”, deklaroi Romano.

Interesim për 23-vjeçarin ka edhe nga Anglia, ndërsa ai mund të shndërrohet në një nga emrat më të përfolur në tregun italian gjatë sezonit të ardhshëm.

“Besoj se ai mund të bëhet sërish një emër për t’u ndjekur në tregun italian, por edhe në atë anglez, sepse ka klube nga Liga Premier që tashmë po monitorojnë situatën”, shtoi gazetari italian.

Jackson iu bashkua Bayernit verën e kaluar në formë huazimi njëvjeçar, me detyrim blerjeje në varësi të një numri të caktuar paraqitjesh. Megjithatë, kjo klauzolë nuk do të aktivizohet për shkak të pjesëmarrjes së tij në Kupën e Afrikës.

Sulmuesi senegalez mbeti jashtë skuadrës së Bayernit për çerekfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj RB Leipzig dhe ka qenë kryesisht alternativë pas Harry Kane.

Në total, Jackson ka realizuar pesë gola në 21 paraqitje në të gjitha garat, duke qenë titullar në vetëm shtatë ndeshje./Telegrafi

telegrafi sport app