Skuadra e Bashkimit nga Kumanova ka shënuar një tjetër fitore në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, pasi në kuadër të javës së 22-të mposhti Makedonija Gj.P me rezultat 2-0, njofton Telegrafi.

Ekipi nga Kumanova ishte dukshëm më i mirë që në pjesën e parë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në gjysmën e mysafirëve dhe duke krijuar disa raste të mira shënimi, por pa arritur të gjejë rrugën e golit. Mundësinë më të mirë e pati Nikel Orr, por përpjekja e tij u ndal nga portieri Jankov.


Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e Bashkimit, ndërsa rezistenca e Makedonija Gj.P u thye në minutën e 75-të. Avornio realizoi me saktësi nga pika e bardhë për epërsinë 1-0. Vetëm nëntë minuta më vonë, Resul Memeti vulosi fitoren me një goditje të saktë nga jashtë zonës për 2-0.

Me këtë fitore, Bashkimi ngjitet në vendin e pestë me 32 pikë, ndërsa Makedonija Gj.P mbetet në pozitën e nëntë me 23 pikë. në duelin e dytë të ditës së sotme, Tikveshi mundi minimalisht 1-0 Pelisterin duke u ngjitur në pozitën e gjashtë me 30 pikë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app