Basha reagon ndaj akuzave për punimin akademik të vitit 2012: Janë akuza shumë të ulëta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka dalë sot me një reagim publik për të sqaruar akuzat që janë përhapur në media në lidhje me një punim akademik të tij nga viti 2012.
Akuzat kanë lidhje me një hulumtim të bërë nga Basha si student, për temën e “Depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, përfshirë Kosovën”.
Në një konferencë për media, Basha ka theksuar se në punimin e tij nuk përmendet UÇK-ja.
“Dua të sqaroj para qytetarëve për akuzat e ulëta që janë ngritur kundër meje. Në vitin 2012 si student kemi dorëzuar hulumtime për publikim. Asokohe kam bërë hulumtim për çështjen e depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, por që gjithmonë ka pas në fokus Kosovën. Kam dërguar hulumtimin që lidhet vetëm me këtë temë dhe këtu përfundon përgjegjësia ime, lidhur me punimin në fjalë. Edhe tema e diplomës që kam master në vitin 2013 e publikuar e mbulon vetëm këtë pjesë, asnjë fjalë të vetme aty nuk e gjen UÇK, por mbulon vetëm temën e ‘depërtimit të islamit fundamentalist në Evropën Juglindore me fokus Kosovën’ ”, ka thënë Basha, përcjell Telegrafi.
Ai po ashtu iu përgjigj edhe akuzave që lidhen me emrin e Dick Martin, duke i quajtur ato shumë të ulëta dhe të pabaza.
“Këto akuza dhe lidhjet e mija me Dick Martin janë shumë të ulëta dhe rënduese për mua. Në vitin 2010 kam publikuar shkrim duke bërë thirrje që të luftohet ky raport sepse do të na kushtojë shumë si popull e si vend, kjo është e publikuar në gazetën Telegrafi asokohe në vitin 2010...Unë Dimal Basha si qytetar i këtij vendi e kam të shenjtë luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri. I përulem secilit që ka kontribuuar në luftë e në paqe. Dua të deklarojë me përgjegjësinë më të madhe qytetarët që kurrë ne jetën time nuk është shkruar asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, ka thënë ndër të tjera Basha.
Basha po ashtu lëshoi disa akuza edhe ndaj gazetarëve duke thënë: “Gjatë këtyre gjashtë viteve portalet e shumta nuk kanë ndaluar kurrë duke ofenduar me fjalë të ndryshme dhe duke më përfshirë në gazeta të Beogradit. Të njëjtit e kanë bërë këtë propagandë edhe ndaj Gërvallës për vite me radhë. Të njëjtit nuk duhet harruar që presidentin historik, Ibrahim Rugova e kanë quajtur tradhtar. Të njëjtit vazhdojnë me ofendime ndaj kryeministrit Kurti, duke e quajtur atë si ‘njeri i Serbisë’. Dhe mos harroni se të njëjtat burime e të njëjta qarqe kanë lobu për ndarjen e Kosovës e të njëjtit e kanë krijuar edhe Listën serbe”. /Telegrafi/

















































