Barcelona ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën e saj për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve 2029, duke propozuar stadiumin Spotify Camp Nou si arenën pritëse të ndeshjes më të rëndësishme të futbollit evropian për klube.

Klubi katalanas u rikthye në Camp Nou vitin e kaluar, edhe pse stadiumi është ende pjesërisht në proces rinovimi. Punimet për modernizimin e plotë të objektit pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027, çka do ta bënte stadiumin plotësisht funksional për organizimin e eventeve madhore ndërkombëtare.


Përveç finales së Ligës së Kampionëve, Camp Nou është përmendur edhe si një nga stadiumet e mundshme për Kupën e Botës 2030, e cila do të organizohet bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.

telegrafi.com

Në deklaratën zyrtare të klubit thuhet se:

“FC Barcelona shpreh zyrtarisht gatishmërinë e saj për të marrë pjesë, së bashku me Këshillin e Qytetit të Barcelonës dhe Qeverinë e Katalonjës, në procesin fillestar të kandidimit për organizimin e Finales së Ligës së Kampionëve 2029, duke propozuar qytetin e Barcelonës dhe stadiumin Spotify Camp Nou, në varësi të homologimit dhe miratimit nga UEFA, me mbështetjen e Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).”

Klubi thekson se kjo fazë përfaqëson një proces paraprak analize dhe vlerësimi, ku tashmë është dorëzuar dokumentacioni fillestar për t’i mundësuar UEFA-s të shqyrtojë përshtatshmërinë e kandidaturës, në përputhje me protokollet e saj.

Sipas Barcelonës, formalizimi i kandidaturës përfundimtare dhe dorëzimi i dosjes së plotë me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm është planifikuar për fillimin e qershorit 2026. /Telegrafi/

telegrafi sport app