Balona, bomba dhe kriptomonedha: Mënyra e re e luftës hibride të Rusisë - dhe si ta mposhtim atë

Nga: Peter Pomerantsev / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Për syrin e pamësuar, një balonë e madhe meteorologjike mund të mos duket armë e dukshme për të nisur një pushtim. Por, natyra e luftës po ndryshon - dhe po ndryshon me shpejtësi. Është koha që Perëndimi të ecën me hapin e zhvillimeve.
Që nga tetori, Lituania është detyruar të mbyllë Aeroportin e Vilniusit më shumë se një duzinë herësh për shkak të një fluksi të pandërprerë balonash që shkelnin hapësirën e saj ajrore. Duke fluturuar deri në katër kilometra lartësi, ato kalojnë kufirin me Bjellorusinë me pako të mëdha të lidhura në bazë - pako të cilat policia më vonë i identifikoi se janë të mbushura me cigare të kontrabanduara.
Duke parë ngarkesën, balonat duket se janë vepër e kontrabandistëve, një akt krimi ndërkombëtar.
Por, qeveria lituaneze ngul këmbë se ky është një sulm nga vetë Bjellorusia dhe ka shpallur gjendje emergjente. Duke qenë se Bjellorusia është, në një masë të madhe përfaqësuese e Rusisë, supozohet se në të vërtetë Moska po i drejton këto veprime. Dhe, këto episode janë pjesë e një modeli të luftës hibride. Në të gjithë kontinentin po shohim rritje të ndjeshme të sabotimeve, sulmeve kibernetike, fluturimeve të dronëve që shkaktojnë shqetësim, vrasjeve dhe fushatave dezinformuese.
Secila prej tyre mund të duket e vogël në vetvete, dhe secila mund të jetë e vështirë për t’u atribuuar, por së bashku përbëjnë një strategji ruse për të minuar Evropën. Friedrich Merz, kancelari gjerman, ka shpallur së fundmi se Evropa “nuk është më në paqe me Rusinë”. Por, çfarë synon kjo gjendje e çuditshme gjysmë-lufte, sa seriozisht duhet ta marrim dhe, më e rëndësishmja, si ta mposhtim?
Vlen të kujtohet se Lituania është një nga mbështetëset më aktive të Ukrainës - dhe një nga vendet më të cenuara ndaj një pushtimi të mundshëm rus dhe, për këtë arsye, një nga vendet që varen më së shumti nga mbrojtja amerikane përmes NATO-s. Madje, ekziston një plan evakuimi për kryeqytetin në rast pushtimi.
Pra, çfarë përpiqet të arrijë ky operacion i supozuar rus?
Së pari, teston reagimet shoqërore brenda Lituanisë. Ndonjëherë, operacionet e tilla hibride vetëm e forcojnë vendosmërinë e një vendi. Por, kur shoqërohen me fushata afatgjata propagandistike që punojnë për të minuar unitetin, rezultatet mund të jenë befasuese. Merreni si shembull Poloninë. Muajin e kaluar, autoritetet polake zbuluan eksplozivë në një linjë civile hekurudhore që gjithashtu transporton armë dhe ndihma për Ukrainën. Siç ndodh shpesh, Rusia përdori ndërmjetës - huliganë ukrainas të paguar - për të kryer sulmin. Ndërkohë që qeveria polake ishte e qartë në identifikimin e Rusisë si fajtore, mbi 40 për qind e komenteve në internet fajësuan Ukrainën. Radoslaw Sikorski, ministri i Jashtëm polak, ishte i qartë: “Ata që fajësojnë Ukrainën për veprimet e Rusisë në Poloni janë sabotues politikë ... Rusia shpenzon miliarda për të ushqyer ndjenja të tilla - për dezinformim dhe propagandë”.
Në rastin e Lituanisë, ka një zhgënjim ndaj paaftësisë së qeverisë për të përballuar situatën, veçanërisht për shkak të vonesave të fluturimeve. Sondazhet këtë muaj tregojnë se 38.5 për qind e lituanezëve ndihen më të rrezikuar për jetën për shkak të balonave. Në planin afatgjatë, kjo mund ta dobësojë gatishmërinë e popullatës për të mbështetur Ukrainën, pasi fillon të ndërlidhet me rrezik dhe me ngatërresë. Megjithatë, në rastin e Lituanisë, polarizimi më i rëndësishëm të cilin rusët po kërkojnë është ai midis shteteve baltike me qëndrime të ashpra dhe vendeve të tjera evropiane që ndihen më pak të kërcënuara nga Rusia. Prej dekadash, shtetet baltike, si Estonia, janë akuzuar nga evropianët e tjerë për “histeri” lidhur me kërcënimin rus. Kjo ka ndryshuar që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, por teksa ndjenjat më paqësore përhapen në Evropë pas viteve të një lufte rraskapitëse, rusët duan të dinë se ku qëndron secili.
Më e rëndësishmja, megjithatë, është se si reagojnë amerikanët. Këto operacione hibride vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e Nenit 5 të kartës së NATO-s që përcakton se “një sulm i armatosur kundër një anëtari të NATO-s do të konsiderohet si sulm kundër të gjithë anëtarëve dhe do të aktivizojë obligimin për ndihmë nga secili prej tyre”. A kualifikohen balonat si “sulm i armatosur”? Po sabotazhi? Apo një vrasje? Ose bombat në aeroplanë - si ato që dyshohet se Rusia ka vendosur në avionët e DHL-it vitin e kaluar? Në fund të fundit, si do të reagojnë amerikanët ndaj paraqitjes së ushtarëve pa uniforma, siç i pamë në Krime në vitin 2014?
Për vendet si Lituania, e cila është shumë e varur nga vendosmëria amerikane, përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë ndaj sulmeve të ngjashme duhet të jetë thellësisht shqetësuese. Këtë vit kemi parë dronë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë, të tjerë që kanë mbyllur aeroportet në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Donald Trump thjesht ngriti supet dhe vuri në pikëpyetje nëse hyrjet në Poloni mund të kishin qenë aksidentale.
Këtë muaj, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi rastësisht se “Putini ka nisur të bëjë ndërhyrje në kufijtë e NATO-s. Ajo që mund t’ju them me siguri është se ShBA-ja nuk do të përfshihet me trupa apo ndonjë gjë të tillë”. Këto komente vijnë në një kohë kur Trumpi ka shpallur se do të heqë 200 milionë dollarë në vit nga mbështetja për mbrojtjen e rajonit. Ndërkohë, Rusia po rrit në mënyrë masive shpenzimet për mbrojtjen, duke prodhuar më shumë se Evropa në tanke, sisteme artilerie dhe dronë. Putini po përgatitet qartazi për një konflikt të gjatë të mundshëm dhe po zgjeron rekrutimin ushtarak.
Ky është mashtrimi i luftës hibride: një operacion kontrabande me cigare në balona bëhet pjesë e një kërcënimi sistematik - por, mund ta kuptosh vetëm nëse e shikon në një pamje më të gjerë.
Pra, si duhet të përgjigjen shtetet? Si mund të shmanget, nga njëra anë, kryerja e punës për Rusinë duke reaguar në mënyrë të ekzagjeruar ndaj çdo akti dhe duke e bërë Moskën të duket më e fuqishme se ç’është në të vërtetë - dhe, nga ana tjetër, të vihet gjithçka në kontekst në mënyrë që të kemi një kuptim më të qartë të kërcënimit?
Hapi i parë është të shihet tërësia e operacioneve dhe t’i shpjegohet publikut qëllimi i tyre. Aktualisht kemi një situatë të çuditshme ku figurat si Merz shpallin se jemi në konflikt me Rusinë - dhe pastaj nuk japin asnjë shembull që të shpjegojnë se si. Qeveritë shpesh hezitojnë të tregojnë gjithçka që dinë, sepse komprometojnë burimet e veta, por duhet të jenë më guximtare në atribuimin e përgjegjësisë së Rusisë. Merrini si shembull sulmet që synojnë të minojnë bazën industriale të mbrojtjes në Gjermani. Disa janë të njohura, si përpjekja për vrasje ndaj CEO-s së Rheinmetall-it, Armin Papperger, në vitin 2024.
Të tjerat nuk i janë atribuuar kurrë Rusisë, por duken shumë të dyshimta për t’u injoruar, siç janë zjarret dhe shpërthimet në një fabrikë armësh të kompanisë Diehl në maj të vitit 2024. Inteligjenca gjermane beson se kjo ishte një vepër e profesionistëve me përvojë, ndoshta kriminelë të rekrutuar në internet dhe të paguar me kriptomonedha. Një hetim mediatik zbuloi kërkimet në internet të bëra nga Rusia përpara sulmit, të cilat lidhen me protokollet e zjarrit të uzinës, përfshirë se nga ku do të vinin zjarrfikëset. Disa objekte të tjera të lidhura me prodhimin e armëve për Ukrainën - përfshirë një tjetër fabrikë të Diehl-it - kanë marrë gjithashtu flakë. Por, derisa këto modele të shpjegohen për publikun, është e vështirë të kuptohet shkalla dhe qëllimi i kërcënimit.
Nëse atribuimi i sulmit është hapi i parë, hapi tjetër është të sigurohesh që të reagosh ndaj qëllimit përfundimtar të një sulmi - dhe, në një mënyrë që t’ia tregojë rusëve kotësinë e qasjes së tyre. Nëse një pjesë e qëllimit të balonave lituaneze është të ekspozojnë dobësinë e Nenit 5 dhe mungesën e interesit amerikan për rajonin, atëherë u takon vendeve evropiane të tregojnë vendosmërinë e tyre së bashku.
Një shembull pozitiv erdhi pas helmimit nga agjentët rusë të dezertorit Sergei Skripal në Solsberi. Britanikët vepruan shpejt për të identifikuar autorët, dhe menjëherë bashkuan vendet e Evropës për të dëbuar një numër të paparë spiunësh rusë nga i gjithë kontinenti. Ndërkaq, ndëshkimi mund të jetë edhe më agresiv nga sa mendohet zakonisht. Pasi Rusia sulmoi me hakerë sistemet mbrojtëse amerikane, ShBA-ja iu kundërpërgjigj me sulmet e veta kibernetike.
Në të njëjtën kohë, ne duhet të zhvillojmë versionin tonë demokratik të operacioneve hibride për të konkurruar në këtë botë të re. Ndërsa Rusia po minon industrinë evropiane të mbrojtjes, ne mund të bashkojmë shoqërinë civile, njohuritë e biznesit dhe fuqinë e qeverive për të goditur sektorin rus të mbrojtjes. Studiues të pavarur sot mund të kryejnë hetime të inteligjencës, me burime të hapura, më shpejt se qeveritë të cilat mund ta përdorin këtë të dhënë për sanksione të synuara. Ky lloj bashkëpunimi ka çuar, për shembull, në një ulje të furnizimit të Rusisë me krom - një material thelbësor për prodhimin e tytave të artilerisë.
Deri në mars të vitit 2025, një uzinë e madhe ruse, NZHS, që përmbushte 20 për qind të nevojave të brendshme të Rusisë për krom, u detyrua të mbyllej për shkak të sanksioneve të synuara. Fabrika furnizonte të paktën 12 prodhues të industrisë së mbrojtjes të përfshirë në prodhimin e tytave të artilerisë, raketave balistike dhe më shumë. Një raport i ri nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara përdor të dhëna nga burime të hapura për të përshkruar në mënyrë të detajuar dobësitë e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore, ndaj ndërprerjeve kirurgjikale të zinxhirëve të furnizimit me qarqe elektronike. Duhet të përqendrohemi në këtë.
Dhe, ndërkohë që Rusia po synon Evropën dhe Mbretërinë e Bashkuar me dezinformim, ne duhet të përdorim fushata faktike informuese për të minuar objektivat e tyre të luftës. Rusia po përpiqet të krijojë një ushtri me 1.5 milionë ushtarë deri në fund të dekadës, e cila do të ishte mjaftueshëm e madhe për të kërcënuar Evropën. Plani i Moskës kërkon shumë më tepër para sesa ato që po shpenzon aktualisht, dhe potencialisht një mobilizim masiv të popullsisë civile. Kjo e fundit është e rrezikshme për Rusinë - kur tentoi mobilizimin në fillim të luftës, shpërtheu kaosi dhe gati një milion njerëz u larguan nga vendi.
Por, plani i Moskës përbën një sfidë të qartë për Perëndimin. Ne kemi nevojë të përdorim një lëvizje tonën hibride të stilit të pincave për t’i ndalur. Nga njëra anë, duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi burimet e tyre të parave, të cilat varen shumë nga eksportet e pambrojtura të naftës. Dhe, në të njëjtën kohë, duhet të zhvillojmë fushatat tona të informacionit për të minuar rekrutimin ushtarak brenda Rusisë.
Rusia pëlqen të bëjë luftë hibride - por, është gjithashtu shumë e prekshme kur kjo luftë i kthehet si bumerang. /Telegrafi/









































