Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj personave që shkaktojnë zjarre në mënyrë të qëllimshme, duke i cilësuar veprimet e tyre si të papranueshme dhe të patolerueshme.

Gjatë një vizite në Bulqizë, një nga zonat më të goditura nga flakët ditët e fundit, Balluku tha se autoritetet do të marrin masa ekstreme ndaj zjarrvënësve, përfshirë publikimin e identitetit të tyre. Qëllimi, sipas saj, është të ndalet një herë e mirë ky fenomen që rrezikon jetën, pronën dhe mjedisin.


“Është e patolerueshme kjo që po ndodh. Kjo nuk është vetëm në zonën e Bulqizës, por në të gjithë Shqipërinë. Është bërë një punë e shkëlqyer nga policia, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura, të cilët kanë qenë në krye të kësaj beteje me zjarrin. I falënderojmë për kontributin e tyre”, u shpreh Balluku për ABC News Albania.

Ajo nënvizoi se deri tani nuk janë shënuar viktima në njerëz, një fakt që e quajti “më të rëndësishmin”, pavarësisht situatës së rëndë me zjarret.

Sipas saj, jugu i vendit mbetet ende në një situatë kritike, por pritet që rënia e temperaturave në ditët në vijim të ndihmojë në përmirësimin e situatës.

Autoritetet kanë intensifikuar kontrollet dhe fushatat ndërgjegjësuese, ndërkohë që hetimet për rastet e zjarrvënieve të qëllimshme janë duke vijuar.