Bajrami: LDK nuk merr pjesë në takimin e së hënës

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e së hënës të ftuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Kështu tha deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami pas dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb dhe përmbylljes së seancës konstituive.
Bajrami e ka quajtur shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës mbylljen e seancës konstituive.
“Ishit dëshmitarë të një shkelje flagrante të Kushtetutës, ku kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës mbylli seancën konstituive pa të drejtë sepse rregullorja e thotë qartë që Kuvendi konstituohet dhe seanca konstituive mbyllet vetëm në rastin kur zgjedhet kryetari dhe zgjidhen të gjithë nënkryetarët.
LDK nga dita e parë ka refuzuar në votimin ndaras për arsye se është e qartë tani më edhe në pikën 4 të vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese ku ne urdhërohemi që të vazhdojmë konstituimin e Kuvendit sipas agjendës së dakoduar më 8 prill ku kanë qenë të përfaqësuar të gjitha partitë parlamentare”, tha ajo, raporton kp.
Deputetja nga radhët e LDK-së, tha se është e qartë se kush është bllokuesi. Sipas saj, në mungesë të numrave për të krijuar qeverinë e re, Albin Kurti po vazhdon me këtë bllokadë.
















































