Babai i Wirtz shpjegon arsyen pse ylli gjerman nuk po luan në nivelin që pritej te Liverpooli

Florian Wirtz realizoi një transferim prej 125 milionë eurosh nga Bayer Leverkusen te Liverpool në verën e vitit 2025, por mesfushori gjerman ende po pret golin e tij të parë ose asistimin e parë në Ligën Premier.
Së fundmi, megjithatë, ai ka treguar shenja përparimi, duke regjistruar dy asistime në fitoren 5-1 në Ligën e Kampionëve kundër Frankfurt dhe duke impresionuar në fitoren 1-0 ndaj Real Madrid.
Megjithatë, pritshmëritë mbeten të larta për mesfushorin me tipare sulmuese.
Në një intervistë për Bolzplatz, babai dhe agjenti i Wirtz, Hans Wirtz, mbrojti djalin e tij përballë kritikave në rritje.
“Ne besojmë se Florian do të justifikojë atë çmim. Që nga fillimi, mendimi im ishte: le të presim dhjetë ndeshjet e para të ligës. Ne, dhe Florian gjithashtu, mund të jetojmë me këtë”.

Hans Wirtz pranoi se përshtatja me futbollin anglez ka qenë një sfidë.
“Shpejtësia e jashtëzakonshme, lëvizjet e vazhdueshme përpara-mbrapa, kjo ishte shumë impresive në ndeshjet e para. Distancat dhe ritmi ishin qartë më të mëdha se në Bundesliga”.
“Stili i lojës është gjithashtu shumë i ndryshëm, nuk duket aq i organizuar, por shumë më i fokusuar te tempoja”.
Pavarësisht periudhës së përshtatjes, ai mbetet optimist për të ardhmen e djalit të tij në Angli.
“Florian është integruar mirë me skuadrën dhe shokët e tij të ekipit e njohin plotësisht cilësinë e tij”, përfundoi babai i yllit gjerman./Telegrafi/




















































