Babai i miliarderit Elon Musk, Errol Musk, është vënë në qendër të një skandali të rëndë, pasi është akuzuar për abuzim seksual ndaj fëmijëve biologjikë si dhe ndaj fëmijëve të bashkëshorteve të tij, raportoi gazeta amerikane The New York Times.

Hetimi i publikuar tregon se pesë prej fëmijëve të Errol Musk dhe disa fëmijë të bashkëshorteve të tij kanë bërë akuza për abuzime të përsëritura seksuale, të ndodhura si në Afrikën e Jugut ashtu edhe në Kaliforni gjatë dekadave të fundit. Dokumentet gjyqësore, dëshmitë e të afërmve dhe raportet e punonjësve socialë mbështesin pretendimet e ngritura.


Akuzat përfshijnë një periudhë mbi 30-vjeçare

Rasti më i hershëm i raportuar daton në vitin 1993, kur një vajzë, e cila e konsideronte, Errol Muskun si figurë atërore, njoftoi familjen për prekje të papërshtatshme. Disa vite më pas, e njëjta vajzë pretendon se e kishte kapur duke i nuhatur të brendshmet.

Në vitin 2023, një tjetër rast tronditës doli në dritë, kur djali i tij pesëvjeçar deklaroi se ishte prekur në mënyrë të papërshtatshme nga babai. Sipas raportit, tre hetime janë hapur për këtë ngjarje, dy prej të cilave janë mbyllur pa akuza penale, ndërsa për të tretën ende nuk dihet rezultati.

Elon Musk i distancuar nga babai i tij

Sipas burimeve nga familja, Elon Musk është distancuar prej vitesh nga i ati, pikërisht për shkak të akuzave të rënda që kanë qarkulluar në rrethin familjar. Në disa raste, miliarderi ka ndërhyrë për të ndihmuar financiarisht disa prej viktimave të supozuara, përfshirë gjysmë-motrat e tij dhe ish-bashkëshorten e të atit, por nuk ka komentuar publikisht mbi hetimet.

Gjithashtu, dokumentet tregojnë se të afërmit kanë kërkuar ndihmën e Elon Musk që në fillim të viteve 2010, përmes letrave ku i shpjegonin rastet e pretenduara të abuzimeve.

Errol Musk mohon gjithçka

Në reagimet e tij, Errol Musk ka mohuar kategorikisht çdo akuzë, duke i quajtur ato “gënjeshtra të rrezikshme” dhe “përpjekje për të përfituar nga fama dhe pasuria e Elonit”.

Ai pretendon se ka marrëdhënie të mirë me të birin dhe se po përndiqet nga anëtarë të familjes që, sipas tij, duan të përfitojnë financiarisht.

Aktualisht, nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare penale ndaj Errol Musk, por historia ka tronditur publikun dhe ka rihapur diskutimet për të kaluarën problematike të familjes Musk. /Telegrafi/