Avokati i Vatan Qakës: Klienti im nuk e pranon fajësinë për vrasjen e policit

Pas përfundimit të seancës dëgjimore ndaj gjashtë të dyshuarve për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, avokati i të arrestuarit Vatan Qakës, Ngadhënjim Rudi, deklaroi se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Sipas Rudit, kërkesa e Prokurorisë është ndërtuar mbi dyshime dhe bazuar vetëm në video-incizime të siguruara nga kamerat e sigurisë, në të cilat V.Ç shihet në shoqëri me dy nga të dyshuarit e tjerë.
“E përfunduam seancën dëgjimore, klienti im nuk e ka pranuar fajësinë. Faktikisht, kërkesa e prokurorisë ka qenë me dyshime dhe ka qenë e ndërtuar vetëm në video incizime që i ka marrë kamerat e sigurisë. Në ato kamera të sigurisë shihet nën shoqërinë e dy të pandehurve të tjerë. Normalisht në seancë nuk e pranon fajësinë dhe mbetet të shihet”, deklaroi Rudi.
Të arrestuarit R.B, E.L, Sh.K, R.M, D.G dhe V.Ç., u paraqitën sot para gjykatës si të dyshuar për planifikimin dhe vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Të hënën, në Kaçanik, u arrestuan gjithsej shtatë persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit policor më 1 prill, në shkallët e hyrjes së banesës së tij, teksa po kthehej nga puna.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji për gjashtë nga të arrestuarit.
Ndërkohë, të martën, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej një muaji për të miturin R.B., i cili dyshohet si i përfshirë kryesor në vrasjen e rreshterit Lika.


















































