Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar më 26 qershor aktgjykimin e saj lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, duke i dhënë afat partive politike që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve – konkretisht deri më 26 korrik 2025.

Pas këtij vendimi, avokati Arbër Jashari ka reaguar me një përmbledhje të pikave kyçe të aktgjykimit, duke theksuar veçanërisht faktin se votimi i fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk është i paraparë në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Punës së Kuvendit.


Në postimin e tij, Jashari sjell sqarime për disa nga pikat më të rëndësishme të vendimit:

Mandati i deputetit dhe Kuvendit janë të ndërlidhur – një deputet e merr mandatin vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

Partia më e madhe parlamentare ka të drejtë të propozojë Kryetarin e Kuvendit, por kjo e drejtë vlen vetëm nëse siguron shumicën absolute prej 61 votash.

Dështimi në zgjedhjen e Kryetarit nuk nënkupton automatikisht zgjedhje të reja, duke hedhur poshtë interpretimet që lidhin çdo dështim me shpërbërjen e Kuvendit.

Në seancën konstituive, deputetët duhet të jenë të pranishëm fizikisht dhe të votojnë “për”, “kundër” ose “abstenim”.

Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga data e publikimit të aktgjykimit në Gazetën Zyrtare, e që në këtë rast është afati deri më 26 korrik.

Votimi i fshehtë për Kryeparlamentarin është jokushtetues, pasi nuk është i paraparë as në aktin më të lartë juridik të vendit dhe as në rregulloren parlamentare.

Dispozitat që ndalojnë ndryshimin e mënyrës së votimit brenda të njëjtës seancë nuk mund të përdoren për të arsyetuar futjen e votimit të fshehtë.

Të gjitha subjektet politike duhet të veprojnë në frymën e bashkëpunimit kushtetues, duke shmangur bllokimin e proceseve përmes manovrave politike.

Në fund të reagimit të tij, Jashari shprehet me një thirrje të qartë.

“Ishalla po i qet n’udhë të Zotit!” – duke nënkuptuar shpresën për zgjidhjen e ngërçit politik dhe kthimin e proceseve në binarë kushtetues.