Avokati i Popullit kritikon vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe: Nuk ka bazë juridike

Institucioni i Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Sipas Avokatit të Popullit, ky vendim është marrë “pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj”.
Avokati i Popullit thekson se përshtatshmëria politike vendoset nga qytetarët përmes votës së lirë dhe jo përmes vendimeve administrative.
“E drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përbën një nga shtyllat themelore të demokracisë. Në këtë kuadër, shteti ka detyrimin pozitiv të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë garuesit politikë, duke garantuar që çdo kufizim të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në ligj,” thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit, më 3 dhjetor 2025.
Ai ka kërkuar nga organet kompetente që ta shqyrtojnë këtë vendim dhe të veprojnë “në përputhje me parimin e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe vlerave të shoqërisë demokratike, duke garantuar mbrojtjen efektive të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”.
Sipas komunikatës, të gjitha subjektet politike të paraqitura për zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë kaluar nëpër procedurat ligjore të verifikimit dhe kontrollit.
“U konstatua plotësimi i kushteve nga të gjitha subjektet politike dhe u dërguan rekomandimet përkatëse në KQZ. Prandaj, ishte detyrim i KQZ-së të konstatonte faktet dhe të certifikonte subjektet që i plotësojnë kërkesat ligjore, duke garantuar sigurinë juridike dhe respektimin e procedurave në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Ky është hera e tretë gjatë këtij viti që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti. Herët e tjera kishin qenë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe për ato lokale të 12 tetorit.
Në të dy rastet, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së. Herën e parë, më 23 dhjetor 2024, KQZ-ja nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.


















































