LAJMI I FUNDIT:

Avokatët i kundërshtojnë provat e Prokurorisë në Rastin ‘Medicus’

Avokatët i kundërshtojnë provat e Prokurorisë në Rastin ‘Medicus’

Në gjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishi, i cili akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar si dhe Sokol Hajdinit, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor, gjykimi ka vazhduar me deklarimin e palëve mbrojtëse rreth provave të propozuara për administrim nga ana e Prokurorisë.

Pasi që gjatë seancës së kaluar prokurorja e rastit Valeria Bolici trupit gjykues dhe palëve mbrojtëse i kishte paraqitur një liste me provat e propozuara për administrim, palët mbrojtëse pas pranimit të kësaj liste dhe vëllimit të madh i kërkuan trupit gjykues kohë që deri në seancën e sotme të ju jepej mundësia që të deklarohen rreth atyre provave.

Në lidhje me këto prova të propozuara për administrim nga ana e prokurores, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Valon Hasani u shpreh se në atë listë prokurorja ka propozuar që të administrohen edhe prova të cilat janë shpallur si të papranueshme nga ana e trupit gjykues, prova për të cilat tha se nuk mund të administrohen.


“Kemi marrë listën, kemi qenë duke i shikuar dhe nga fillimi ka prova të papranueshme. Po ashtu kam vërejtur që në regjistrator e kemi edhe dëshminë e dëshmitarit A.K., e cila është marrë jashtë fazës së shqyrtimit gjyqësor dhe është shpallur si e papranueshme si dhe dëshminë e dëshmitarit Shaip Muja, dëshmi kjo e cila është shpallur dëshmi e papranuar nga ky trup gjykues. Po ashtu kemi edhe një dëshmi nga një dëshmitar i mbrojtur – deklaratë kjo e cila është marrë nga ana e Prokurorisë jashtë fazës së hetuesisë dhe është deklaruar si e papranueshme nga ana e gjykatës”, tha avokati Hasani, raporton Kallxo.com.

Edhe mbrojtësi i Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi deklaroi se e përkrah fjalën e kolegut të tij avokatit Hasani, duke shtuar se ai i kundërshton të gjitha provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë pasi që sipas tij Prokuroria me asnjë provë nuk ka arritur që të vërtetojë se në veprimet e të mbrojturit të tij ka ndonjë element të veprës penale ashtu siç pretendohet.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të figurojnë provat të cilat janë shpallë të papranueshme, ndaj mendimin e plotë me kolegun tim sa i përket nevojës për t’i shikuar edhe njëherë me kujdes të madh të gjitha materialet në mënyrë që nëse kemi vërejtje të jenë sa më minimale. E gjej të rrugës t’i kundërshtoj provat nga ana e Prokurorisë me sqarimin e mbrojtjes se asnjë nga provat që pretendon prokuroria nuk mund të tregojnë në asnjë mënyrë se në rastin e të mbrojturit tim plotësohen elementet e veprës penale për të cilën pretendon akuza”, tha avokati Gashi.

E në lidhje me këto deklarata të avokatëve, prokuroja Valeria Bolici tha se pajtohet me një pjesë të deklaratave të tyre pasi që u shpreh se mund t’i ketë ndodhur një lëshim në lidhje me një provë e cila më parë është shpallur si e papranueshme nga ana e trupit gjykues, kurse sa u përket provave të tjera u shpreh se ato fare qartë janë të paraqitura në atë listë, ku sipas saj provat të cilat janë shpallur si të papranueshme nga ana e trupi gjykues i ka paraqitur të hijezuara me ngjyrë të kaltër.

“Pranoj se kjo provë është një lëshim i imi, është e vërtetë se trupi gjykues e ka shpallur si të papranuar atë provë, është dashur që të hijezohet me të kaltër por nuk është bërë. Çka është e hijezuar me të kaltër nënkupton se kjo gjykatë i ka shpallur si prova të papranueshme”, tha prokurorja.

Në lidhje me këto kundërshtime të palëve mbrojtëse kryetarja e trupit gjykues sqaroi se dokumentet e shënuara me ngjyrë të kaltër në listën që Prokuroria e ka paraqitur nuk ka për qëllim që të përdoren si prova materiale dhe se Gjykata provat e papranueshme do t’i heqë nga dosja e lëndës.

Trupi gjykues më pas deklaroi se ka marrë vendim në lidhje me propozimin e avokatit Ramë Gashi, i cili në seancën e kaluar i propozoi trupi gjykues që në cilësi të dëshmitareve të ftohej një komision i ekspertëve të profilizuar të cilët do të mund të deklaroheshin në lidhje me shkallën e dëmtimeve të pësuara nga palët e dëmtuara, pasi që sipas tij dy ekspertët Flamur Blakaj dhe Afrim Rustemi nuk kanë mundur që të japin përgjigje në të gjitha pyetjet e adresuara nga ana e Gjykatës, përgjigje të cilat sipas avokatit duhet që t’i japin një komision i përbërë nga ekspertë të profilizuar.

Por, një propozim i tillë nga avokati Gashi nuk u aprovua nga trupi gjykues  me arsyetimin se ato aspekte nuk konsiderohet se janë thelbësore për elementet e veprës penale për të cilën akuzohet Sokol Hajdini.

Palët mbrojtëse do të kenë kohë që edhe në seancën e radhës e cila do të mbahet me datën 24 prill t’i paraqesin kundërshtimet e veta kundrejt provave të paraqitura nga ana e Prokurorisë.

Ndërsa në lidhje me propozimin e provave të reja, palët mbrojtëse u deklaruan se nuk kanë propozime për administrim të provave të reja, të cilat nuk ia kanë paraqitur më parë Gjykatës.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5.

Në trend Lajme

Më shumë
Zelensky bisedë telefonike me Ramën, tregon çështjet që diskutuan

Zelensky bisedë telefonike me Ramën, tregon çështjet që diskutuan

Lajme
Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Arrestohen pesë të dyshuar në Pejë, po planifikonin vrasje

Kronika e Zezë
Akuzat për lejen e ndërtimit në Yrshek dhe tenderin e pastrimit, Veliaj reagon nga burgu: Ia dhashë biznesmenit gjithë këto, t’i merrja 9 mijë euro mbrapsht?

Akuzat për lejen e ndërtimit në Yrshek dhe tenderin e pastrimit, Veliaj reagon nga burgu: Ia dhashë biznesmenit gjithë këto, t’i merrja 9 mijë euro mbrapsht?

Lajme
Skandal në Aeroportin e Beogradit: Vajza portugeze keqtrajtohet veç pse mbante një bluzë me flamurin shqiptar

Skandal në Aeroportin e Beogradit: Vajza portugeze keqtrajtohet veç pse mbante një bluzë me flamurin shqiptar

Lajme
Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Politikë
Procesohen pothuajse të gjitha votat për kandidatët, KQZ publikon rezultatet e korrigjuara për parti

Procesohen pothuajse të gjitha votat për kandidatët, KQZ publikon rezultatet e korrigjuara për parti

Politikë
Kalo në kategori