LAJMI I FUNDIT:

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron bizneset: Mos fiksoni çmimet, gjobat janë të larta

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron bizneset: Mos fiksoni çmimet, gjobat janë të larta

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka paralajmëruar të gjithë bizneset që ofrojnë shërbime dhe produkte të ndryshme në treg që të përmbahen nga praktika e arritjes së marrëveshjeve për ngritje të bashkërenduar të çmimeve.

Sipas AKK-së, një gjë e tillë cenon konkurrencën e ndershme në treg dhe sanksionohet me legjislacionin në fuqi.

“Fiksimi i çmimeve përmes praktikave të bashkërenduara është shkelje e rëndë e konkurrencës, meqë ua pamundëson qytetarëve të kenë llojshmëri të çmimeve për një produkt apo shërbim të caktuara. Për këtë arsye, edhe Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës parasheh gjoba të larta ndaj atyre që veprojnë jashtëligjshëm. Këtë thirrje publike, Autoriteti i Konkurrencës e bazon në mandatin e tij për të avokuar sa më gjerësisht për politikat e konkurrencës dhe vetëdijesimin e akterëve në treg për dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.


Në fund, Autoriteti fton të gjitha palët që t’i drejtohen AKK-së për çdo iniciativë, informatë, sqarim që ata mund të kenë të nevojshme lidhur me politikat e konkurrencës duke plotësuar kërkesën në faqen zyrtare e këtij institucioni. /Telegrafi/