Ardian Vehbiu
Ja një kokëçarje e vogël për historianët dhe studiuesit e autorësisë në letrat shqipe: i ka shkruar “vërtet” Enver Hoxha të gjitha materialet që janë botuar nën emrin e tij si autor? Pyetja nuk ka natyrë sensacionalistike. Vepra e botuar e Hoxhës vjen si shumëllojshmëri tekstesh – nga raportet në kongrese dhe në plenume, te përshëndetjet e ndryshme dhe letërkëmbimet dhe telegramet, deri te bisedat e transkriptuara.
Pa përmendur shënimet, ditarët, kujtimet dhe librat me natyrë publicistike ose eseistike. Pa dyshim, një pjesë e mirë e këtyre janë shkruar nga ndihmësit e Hoxhës, ose ata që në botën anglosaksone njihen si speechwriters e që në Shqipëri duhet të kenë punuar me grupe – që nga Sekretariati, tek aparati i KQ të PPShsë dhe studiuesit e punonjësit e Institutit të Studimeve ML si dhe shkrimtarë dhe publicistë të pajtuar doradorës, me detyra të posaçme. Pothuajse asgjë nuk është thënë për këtë çështje, në periudhën pas 1990ës – le t’ia faturojmë edhe këtë heshtje mefshtësisë karakteristike të bashkëpunëtorëve të Enverit, në lidhje me mënyrën si punonte aparati propagandistik i shtetit totalitar.
Autorësia e veprave të ndryshme të Hoxhës mund të trajtohet nga shumë anë – biografët e Hoxhës mund të jenë të interesuar të marrin vesh, por edhe studiuesit e ligjërimit politik të totalitarizmit, historianët e totalitarizmit shqiptar dhe specialistët e copyrightit në socializëm. Edhe vetë studimi i krahasuar i shënimeve të Hoxhës nga njëra anë dhe produktit të konfeksionuar për lexuesin nga ana tjetër mund të ndriçonte shumëçka, në lidhje me mënyrën si vullneti i një individi – lider absolut – shndërrohej në fjalë të pushtetshme.
Nëse shqipja totalitare i detyrohet, në masë të madhe, idiolektit të Hoxhës udhëheqës, edhe figura e Hoxhës udhëheqës i detyrohet, sërish në masë të madhe, këtij ligjërimi totalitar të cilin Hoxha e fliste po aq sa ç’flitej prej tij dhe përftohej si vetë gramatikore e diskursit përkatës. Në vitet e regjimit, çështja e autorësisë si marrëdhënie pronësie pak a shumë e deklaruar dhe mbrojtur me ligj nuk ngrinte shumë peshë, së paku nga pikëpamja formale: ndodh madje që, të njëjtat materiale, të botohen edhe në Veprat e plota të Hoxhës, edhe në Dokumentet Kryesore të PPShsë, herën e dytë si me autorësi kolektive. Në vetë praktikën e punës së organeve të PPSh-së, të mbaje një raport nuk do të thoshte edhe se e kishe shkruar atë; nga pikëpamja formale, leximi publik me zë i raportit p.sh. në kongres ose në plenum ishte më i rëndësishëm dhe më domethënës për statusin përkatës, se autorësia e tekstit.
Por, kjo edhe ngaqë copyrighti i materialeve të tilla në socializëm nuk duket se ka ndonjë aspekt komercial; prandaj edhe autorësia është thjesht me interes për biografët ose historianët e ideve. Nga ana tjetër, autorësia e një dokumenti politik lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësinë – prandaj zbatohet ndaj personit që e ka “bërë të vetin” tekstin në publik ose para të tjerëve, jo ndaj personit që e ka hedhur tekstin në letër. Duke parafrazuar Foucaultin, le të themi se autorësia e një teksti (diskursi), edhe e teksteve të Hoxhës, i ruan gjithnjë lidhjet me gjasat sado teorike të ndëshkimit, në qoftë se teksti do të rezultonte transgresiv, heretik ose ideologjikisht i gabuar. Çfarë do të thotë, në rastin e diskurseve me natyrë politike, se një lider politik – si Hoxha – e ushtronte autorësinë e diskurseve që dilnin me emrin e tij si pjesë e funksioneve prej lideri në krye të Partisë dhe të Shtetit; dhe jo si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i hartuar këto tekste ose diskurse.
Aq më tepër që, për sa kohë vepra e Hoxhës u botua praktikisht e tëra në të gjallë të atij vetë dhe gjithsesi nën mbikëqyrjen e aparatit editorial në shërbim të tij, çështjet e autorësisë atje duhen trajtuar gjithnjë veçan çështjeve të autentifikimit. Hoxha si autor mund të ndiqet hap pas hapi edhe si prani tekstuale – ose tërësi tiparesh stilistike unike. Kjo është më e vështirë të bëhet me tekste me natyrë thjesht politikeorganizative, p.sh. raportet; dhe më e lehtë me tekste me natyrë më krijuese a spekulative, p.sh. kujtimet.
Nuk ka dyshim që kujtimet, që nga ato të fëmijërisë e të rinisë, dhe më pas ato të Luftës dhe të periudhës së Pasluftës, si Titistët, Hrushovianët etj., kanë të përbashkëta një numër tiparesh, aq sa të lejojnë të flitet për Hoxhën autor si funksion të vetë tekstit. Bëhet fjalë për vepra që, veç synimeve dokumentare, tradhtojnë edhe pretendimet e Hoxhës për t’u përftuar para publikut edhe si shkrimtar. Çështja këtu është nëse mund ta shtrijmë këtë koncept të autorit funksion të tekstit, aq sa të përfshijë edhe autorin “tekstual” të teksteve të tjera, të cilat janë botuar dhe kanë qarkulluar nën emrin dhe me nënshkrimin e Hoxhës.
Këtu del edhe një problem tjetër jo trivial: po sikur ky autorfunksion tekstesh ku autori pritet të spikatë më fort, për shkak të zhanrit ose të kategorisë, të identifikojë origjinalisht jo Hoxhën vetë, por një ghost writer të qëndrueshëm çfarëdo? Në kuptimin që uniteti stilistik t’i detyrohet dorës që i ka shkruar, jo dorës që i ka nënshkruar tekstet? Ja një punë për filologët dhe biografët, nëse do t’u interesojë vërtet ndonjëherë. Një aspekt i tretë, i sfidës që përfaqëson Hoxha autor, ka të bëjë me funksionimin e teksteve të autoruara (dhe të autorizuara) prej tij në shoqërinë shqiptare të kohës – ose mënyrën si i shkonte Hoxha lider totalitar lexuesit, nëpërmjet fjalës, së shkruar dhe të folur, e cila përdorej në mënyrë gati liturgjike.
Çfarë do të thotë se, duke u riprodhuar nëpërmjet përdorimit – si lexim individual, dëgjim në radio ose TV, lexim kolektiv, diskutim në forma edukimi dhe mënyra të tjera të ngjashme – tekstet e nënshkruara nga Hoxha i shërbenin riprodhimit të pushtetit totalitar në mënyrë edhe të ngjashme, edhe plotësuese (komplementare) me ikonografinë e portreteve, busteve prej allçie, statujave dhe propeve të tjera vizuale të propagandës së regjimit. Nga ky aspekt i tretë, çështja e autorësisë nuk ka shumë kuptim që të shtrohet, meqë autorësia e Hoxhës vjen si premisë e vetë praktikës leximtare dhe hermeneutike; në kuptimin që i paraprin dhe e autorizon këtë praktikë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëOsmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Lajm i shkëlqyeshëm, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun strategjik
“Të vij në mes të Prishtinës edhe të tregoj” – Gerti kërcënon Gjestin gjatë një debati të tensionuar në Big Brother VIP Albania
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Beckham emëron lojtarin më të madh me të cilin ka luajtur ndonjëherë, shpërfill ish-bashkëlojtarët e Man Utd
Fluturimi më i shkurtër në botë që zgjat vetëm një minutë e gjysmë
Trump e konfirmon, një takim me Putinin po organizohet
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025