Një gjest i rrallë human e përplot emocion është realizuar në Komunën e Kamenicës, ku një autoambulancë e re është blerë dhe do të mbajë emrin e drejtoreshës së ndjerë të Shëndetësisë, Greta Kryeziu.

Sipas njoftimit të komunës, mjetet për blerjen e autoambulancës janë siguruar nga fondet që ishin mbledhur për trajtimin mjekësor të Gretës, e cila fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e saj.


Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se dashuria dhe respekti i qytetarëve për Gretën janë shndërruar në një vepër të përhershme që do të shërbejë për shpëtimin e jetëve njerëzore.



“Dashuria e njerëzve për Gretën nuk u shua, por u shndërrua në vepër që do të shërbejë për jetën. Kjo autoambulancë do të mbajë përjetësisht emrin Greta Kryeziu – vajzës së mirë, profesionistes së përkushtuar dhe shpirtit të pastër që la gjurmë në zemrat tona”, tha Rahimaj.

Sipas tij, autoambulanca e re do të shërbejë për banorët e Roganës, Hodonocit, Muçivërcit, Shipashnicës, Karaqevës dhe zonave përreth, duke përmirësuar ndjeshëm qasjen në shërbimet emergjente shëndetësore.

Iniciativa u realizua në marrëveshje me familjen e drejtoreshës së ndjerë dhe me ndihmën e mikut të komunës, Vehap Zuka, i cili kishte udhëhequr fushatën humanitare për mbledhjen e fondeve.

Kryetari Rahimaj shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë qytetarët, miqtë dhe donatorët që kontribuan në këtë nismë humane, duke veçuar edhe respektin ndaj familjes Kryeziu për bashkëpunimin dhe bujarinë e treguar.

“Faleminderit nga zemra të gjithë bashkëqytetarëve dhe njerëzve të mirë që e bënë të mundur këtë vepër humane. Mbi të gjitha, faleminderit përzemërsisht familjes së drejtoreshës Greta, që tregoi bujari dhe korrektësi ndaj donatorëve. Z. Basri, keni nderuar familjen dhe qytetin me këtë veprim”, u shpreh Rahimaj. /Telegrafi/