Austria ka sjellë një nga performancat më të forta dhe më të komentueshme të finales së madhe të Eurovision 2025, që po mbahet këtë mbrëmje në Bazel të Zvicrës.

Përfaqësuar nga artisti JJ, vendi alpin la një përshtypje të thellë me këngën “Wasted Love”, një baladë moderne me ngarkesë emocionale dhe elemente të forta elektronike.


Që në notat e para, JJ shfaqi një vokal të jashtëzakonshëm, të kontrolluar dhe me intensitet të lartë, duke kapur menjëherë vëmendjen e publikut dhe jurisë.

Zëri i tij, i pastër dhe i fuqishëm, ndërthuri dhimbjen dhe forcën në mënyrë të përkryer, duke sjellë një interpretim emocional që nuk kaloi pa u vënë re.

Por, nuk ishte vetëm vokali ai që bëri diferencën: performanca vizuale ishte në një tjetër nivel.

Ndriçimi dramatik, skenografia moderne sollën një atmosferë kinematografike, e cila e ngriti këngën në një tjetër dimension artistik.

"Wasted Love" u duk si një nga performancat me më shumë potencial për të fituar këtë edicion të Eurovision-it, duke kombinuar mjeshtërisht një prani të fuqishme skenike, një vokal teknikisht të shkëlqyer dhe një paketë vizuale që elektrizoi të gjithë arenën. /Telegrafi/